Në një komunikatë për media, OVL e UÇK-së ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi, duke e cilësuar të papranueshme që një çështje kaq e rëndësishme të pengohet nga përplasjet politike apo presioni i bashkësisë ndërkombëtare.
“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në komunikatë.
Organizata ka kritikuar edhe përdorimin e kësaj çështjeje për krijimin e ndasive politike dhe thellimin e përçarjeve ndërmjet subjekteve politike.
OVL e UÇK-së ka paralajmëruar se, nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, do të kundërshtojë këtë qasje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore.
Në komunikatë, organizata kërkon që ndryshimet ligjore të miratohen brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.
Burimi: RTKLive
