
Katër burra në Britani të Madhe janë shpallur fajtorë të enjten për përdhunim dhe abuzim seksual ndaj një gruaje, e cila drogohej nga ish-bashkëshorti i saj dhe më pas u ofrohej për marrëdhënie seksuale personave të panjohur.
Joanne Young zbuloi se ish-bashkëshorti i saj e kishte droguar vazhdimisht dhe e kishte reklamuar në internet për marrëdhënie seksuale me persona të panjohur për më shumë se një dekadë, transmeton klankosova.tv.
Ish-bashkëshorti i saj, Philip Young, 50-vjeçar dhe ish-këshilltar lokal, kishte pranuar fajësinë në janar për më shumë se 50 akuza ndaj saj, përfshirë 11 raste përdhunimi, si dhe akuza që lidhen me incizimin e abuzimeve dhe publikimin e tyre në internet qindra herë.
“Ky abuzim ma ka marrë jetën që njihja deri atëherë. Personi të cilit i besoja më shumë në botë më tradhtoi në mënyrën më të tmerrshme”, deklaroi Joanne Young para gjykatës.
Sipas BBC, abuzimet u zbuluan nga policia vetëm pasi një llogari e lidhur me Philip Young publikoi në internet materiale me përmbajtje seksuale me kafshë në vitin 2024. Pas kësaj, autoritetet sekuestruan pajisjet e tij elektronike, ku gjetën video dhe fotografi që dokumentonin abuzimet ndaj gruas.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani bëri të ditur këtë vit se kishte zbuluar një “rrjet vërtet ndërkombëtar” të përdhunimeve dhe sulmeve seksuale të lehtësuara përmes drogave, i cili organizohej në internet dhe kishte anëtarë në vende të ndryshme të botës.
Zyrtarë të zbatimit të ligjit nga 10 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke bashkëpunuar në një operacion ndërkombëtar për të goditur këto krime.
Joanne Young ka kërkuar që rasti i saj të shërbejë si shtysë për rishikimin e legjislacionit mbi pëlqimin në marrëdhëniet seksuale.
“Ky rast ngre pyetje serioze se si ligji e trajton çështjen e pëlqimit. I bëj thirrje qeverisë që ta trajtojë këtë çështje si prioritet, në mënyrë që gratë të jenë të mbrojtura siç duhet në të ardhmen”, deklaroi ajo.