
Kosova do të ndërmarrë një nismë të re për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi ndryshimet e propozuara më herët në këtë ligj të vitit 2015 nuk u miratuan, mes kundërshtimeve të ashpra nga ndërkombëtarët.
Megjithatë, ekspertët e kanë vënë në pikëpyetje seriozitetin e përpjekjes së re të kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë.
Kurti dhe PDK-ja u pajtuan për një nismë të re të enjten, në ditën kur votimi për ndryshimet e propozuara në këtë ligj, të cilat do t’ia kufizonin kompetencat kësaj gjykate, u shty për herë të dytë brenda pak ditësh.
Ndryshimet e miratuara në tetor u kthyen në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, me kërkesën e vetë iniciueses, PDK-së. Ato ishin miratuar pak javë pasi Gjykata Speciale i dënoi në shkallë të parë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti u takua të enjten me ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të diskutuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. Ai kishte shprehur rezerva ndaj hyrjes në fuqi të ndryshimeve, të cilat kishin nxitur kundërshtime ndërkombëtare, shkruan REL.
PDK-ja kishte kërkuar që ndryshimet të miratoheshin fillimisht dhe më pas, brenda dy javësh nga hyrja në fuqi e ligjit, të bëheshin ndryshime të tjera për të adresuar shqetësimet ndërkombëtare. Por, në fund, partia hoqi dorë nga kjo kërkesë.
Duke folur në një seancë të Kuvendit, Kurti tha se nuk dyshon “në qëllimin e mirë” të PDK-së për ta ndryshuar ligjin, por shtoi se “nuk mjafton vetëm kjo – duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë”.
“Për këtë na duhet një ligj, i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në realitet, në praktikë”, tha Kurti.
Çitaku, duke folur më vonë në një konferencë për media, tha se me kryeministrin janë pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhen bërë në të.
“Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Sot u pajtuam edhe për rrugën që do ta ndjekim. Nismën e re ligjore e sjellim menjëherë javën tjetër, me propozime tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka thënë Çitaku.
“Mungesë serioziteti, kalkulime politike”
Politologu Dritëro Arifi dhe njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, vlerësojnë se kjo përpjekje e re për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit Kuvendi i Kosovës e themeloi para një dekade gjykatën në Hagë, dëshmon mungesë të vullnetit dhe seriozitetit politik, si dhe kalkulime të LVV-së dhe PDK-së.
Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo nismë është “një kamuflim i dështimit, papërgjegjësisë dhe joseriozitetit” për ta ndryshuar dhe plotësuar këtë ligj me kohë.
Ndërkaq, Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë për REL-in se “fatkeqësisht, si LVV-ja, ashtu edhe lidershipi i PDK-së, kanë vendosur që me një temë kaq të ndjeshme, të luajnë lojëra politike”.
Arifi thekson se pushteti dhe opozita kanë treguar “mungesë serioziteti” për ta trajtuar mirëfilltë këtë çështje qëkurse u paraqitën ndryshimet ligjore pas vendimit dënues të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99 – me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte nxiti protesta të shumta në vend.
Protestat ishin të përnatshme dhe përfunduan në natën kur Kuvendi i miratoi ndryshimet që synonin t’ia kufizonin dukshëm kompetencat Gjykatës Speciale.
Arifi beson se ndryshimet u sollën “vetëm si njëfarë lloj arsyetimi që protestat të mos përshkallëzoheshin”.
“Nuk kishte seriozitet për të bërë diçka më konkrete, pra për ta kufizuar, apo pse jo edhe për ta zhbërë gjykatën, sepse kjo gjykatë po vërehet që ka devijuar nga ajo për çka është themeluar”, nënvizon Arifi.
Ndryshimet e reja
Çitaku tha se ndryshimet e reja do të bazohen në tekstin që Kuvendi e kishte miratuar në dy lexime në tetor, por nuk dha hollësi se çfarë do të përmbajnë ato.
“Mbi atë tekst do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore”, tha Çitaku.
Kurti, ndërkohë, nuk foli për përmbajtjen e ndryshimeve, por vetëm tha se ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës.
Politologu Arifi e quajti këtë “mungesë llogaridhënieje”, duke theksuar se ata duhet të flasin publikisht se cilat pika duhet të preken dhe çfarë duhet të përmirësohet.
“Çështja është se a do të ketë kuorum, sepse po vërehet që nuk ka një dakordim mbi këtë çështje. Më shumë është blerje e kohës dhe për të parë se kush si po reagon, sesa që ka seriozitet”, nënvizon Arifi.
Ndryshimet që nuk kaluan
Ndryshimet kryesore që përfundimisht dështuan të kalonin synonin ngushtimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, duke e kufizuar atë kryesisht në pretendimet për trafikim organesh dhe në vrasje, torturë e trajtim mizor.
Ato parashihnin gjithashtu kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, si dhe mundësinë që të dënuarit t’i vuanin dënimet në Kosovë dhe të përfitonin nga falja presidenciale.
Rastet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të ri do të transferoheshin në sistemin e drejtësisë së Kosovës, bashkë me provat dhe dosjet përkatëse. Rastet në proces do të vazhdonin në apel në Hagë, ndërsa ndryshimet nuk nënkuptonin anulimin automatik të aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e të dënuarve.
Synimi për t’i miratuar këto ndryshime nxiti reagime nga ndërkombëtarët. Bashkimi Evropian paralajmëroi se ato binin ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës, të cilat lidhen me themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Këto zotime buronin nga shkëmbimi i letrave të prillit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton. Përmes këtij shkëmbimi, Kosova ishte zotuar që të konsultohej me Bashkimin Evropian për çdo ndryshim ligjor që prek mandatin ose procedurat e Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, Kosova ishte zotuar të garantonte vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali