
Sot, më 12 tetor 2026, ka vdekur Dr. Ukshin Ismajli, anesteziologu i njohur dhe ish-drejtuesi i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Dr. Ismajli ishte një nga figurat më të rëndësishme të mjekësisë në Gjilan, ku për më shumë se katër dekada i shërbeu me përkushtim shëndetësisë dhe qytetarëve të rajonit të Anamoravës.
Ai diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, ndërsa specializimin në anesteziologji e përfundoi në Zagreb, më 1988. Ishte anesteziologu i parë në Spitalin e Gjilanit dhe për rreth dy dekada shërbeu si specialisti i vetëm i kësaj fushe në rajonin e Anamoravës.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Ismajli ushtroi disa funksione drejtuese. Nga viti 2000 deri në vitin 2007 ishte drejtor i Spitalit të Gjilanit.
Në vitin 2012 mori drejtimin e Shërbimit të Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, ndërsa nga viti 2018 deri në pensionim shërbeu si drejtor klinik i spitalit. Në vitin 2021, për disa muaj, ushtroi edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni shëndetësor.
Kontributi i tij u shtri edhe në periudhat më të vështira për Kosovën. Ismajli ishte ndër mjekët që trajtuan nxënësit e helmuar gjatë viteve 1989–1990 dhe ofroi ndihmë mjekësore gjatë luftës. Ai u angazhua edhe në përballimin e situatave të jashtëzakonshme, përfshirë tërmetin e vitit 2002 dhe pandeminë COVID-19.
Në tetor të vitit 2022, Dr. Ukshin Ismajli u pensionua, duke përmbyllur një karrierë 41-vjeçare në shërbim të shëndetësisë dhe qytetarëve.