SINJALI 24 | Një natë me ngjarje të rënda në Kosovë – armë, drogë, dhunë në familje dhe arrestime, këto janë rastet që shënuan 24 orët e fundit

SINJALI 24 | Një natë me ngjarje të rënda në Kosovë – armë, drogë, dhunë në familje dhe arrestime, këto janë rastet që shënuan 24 orët e fundit

Written by

in

SINJALI 24 | Një natë me ngjarje të rënda në Kosovë – armë, drogë, dhunë në familje dhe arrestime, këto janë rastet që shënuan 24 orët e fundit

Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me ngjarje kriminale, arrestime dhe ndërhyrje policore. Nga dyshimet për përgatitjen e një vrasjeje në Prishtinë, te rastet e dhunës në familje dhe zbulimi i armëve e narkotikëve, këto janë zhvillimet që përcollën vendin.

Ekskluzive | Si në filma, armë me shurdhues në veturë dhe dyshime për një plan vrasjeje në Prishtinë – cak Vigan Bekqeli, këta janë katër të dyshuarit

Një informatë për përgatitjen e një vrasjeje në Prishtinë ka vënë në lëvizje Policinë, e cila gjatë operacionit zbuloi një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë në një veturë.

Sipas burimeve të Sinjalit, cak i dyshuar i planit ishte Vigan Bekqeli, rreth 36-vjeçar. Për rastin po hetohen Evatar Ajvazi, Bekim Rexhepi, Gëzim Begu dhe Fidaim Hoti.

Gjatë bastisjeve u arrestua Evatar Ajvazi, në shtëpinë e të cilit u gjet edhe një pistoletë tjetër me shtatë fishekë. Ai u ndalua për 48 orë, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë u shpallën në kërkim policor.

Ekskluzive | Suedezi kapet me kokainë në orët e para të mëngjesit në Prishtinë – ndalohet për 48 orë

Një shtetas suedez, Jan Cornelius Clark Erik Dahlgren, rreth 28-vjeçar, u arrestua në Prishtinë pasi gjatë një kontrolli policor iu gjet një sasi e dyshuar kokaine.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Fahri Fazliu”, më 28 nëntor, rreth orës 02:00. Substanca u sekuestrua, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari u ndalua për 48 orë.

“Po, e kam një thikë” – policët i kërkojnë 17-vjeçarit në Prishtinë ta hapë çantën, zbulojnë edhe armë zjarri

Një 17-vjeçar u arrestua në rrugën “Ymer Aliu” në Prishtinë, pasi gjatë kontrollit policor iu gjetën një armë zjarri dhe dy thika.

Fillimisht, i mituri kishte deklaruar se posedonte një thikë, por brenda çantës policët zbuluan edhe armën dhe thikën tjetër. Pas intervistimit në prani të prindit dhe avokatit, ai u lirua në procedurë të rregullt.

Ekskluzive | Rrahje në “Dry Bar” në Gjakovë, 30-vjeçari dyshohet se sulmoi policin gjatë intervenimit – alkooltesti i rezulton me 2.38 promilë

Një përleshje në lokalin “Dry Bar” në Gjakovë përfundoi me arrestimin e Granit Berishës, rreth 30-vjeçar.

Ai dyshohet se gjatë intervenimit e kishte shtyrë një zyrtar policor. Pas arrestimit, alkooltesti i rezultoi me 2.38 promilë alkool, ndërsa u ndalua për 48 orë nën dyshimet për sulm ndaj personit zyrtar.

“Mos u ngut, merr një zanat e ndërtoje shtëpinë tënde” – 16-vjeçari dyshohet se rrahu gjyshen me çizme në Pejë, pasi ajo e këshilloi

Një 54-vjeçare në Pejë dyshohet se u sulmua nga nipi i saj 16-vjeçar, pasi ishte përpjekur ta këshillonte për të ardhmen.

Sipas burimeve të Sinjalit, i mituri e kishte kërcënuar dhe më pas e kishte goditur me çizme në shpinë, dorë dhe fytyrë. Gruaja mori trajtim në spital, ndërsa 16-vjeçari u ndalua për 24 orë.

Ekskluzive | I tradhtoi aroma e marihuanës në Tiguan – këta janë dy 21-vjeçarët që u kapën afër “Albi Mall”

Dy 21-vjeçarë, Uliks Lila dhe Leart Pllana, u kapën afër “Albi Mall” në Prishtinë me gjithsej 8.47 gramë marihuanë të dyshuar.

Policët kishin ndaluar Volkswagen Tiguanin pasi kishin nuhatur aromën e narkotikëve. Të dy të rinjtë deklaruan se substancat i posedonin për konsum personal dhe u liruan në procedurë të rregullt.

Ekskluzive | Policia kontrollon Mercedesin përballë “Restaurant Peshkopia” në Drenas, gjen pistoletë dhe marihuanë të dyshuar – këta janë dy 21-vjeçarët

Një kontroll policor në Drenas rezultoi me zbulimin e një pistolete dhe 0.03 gramësh marihuanë të dyshuar në një Mercedes.

Të dyshuarit janë Norik Hoxha dhe Albion Gashi, rreth 21-vjeçarë. Arma dhe substanca u sekuestruan, ndërsa ndaj tyre u iniciuan raste për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

Erdhi nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje nga ish-partneri, ai pretendon se mesazhet kërcënuese mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale

Një 32-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, kërkoi mbrojtje në Pejë nga bashkëshorti me të cilin është në proces shkurorëzimi.

Ajo pretendoi se ai e përndiqte dhe e kërcënonte përmes rrjeteve sociale dhe fëmijëve. Pas arrestimit, 40-vjeçari mohoi akuzat, duke pretenduar se mesazhet mund të ishin krijuar me inteligjencë artificiale. Ai u ndalua për 48 orë.

E dhimbshme | Prindërit e vunë në gjumë, në mëngjes e gjetën pa frymëmarrje – humb jetën foshnja njëmuajshe në Skenderaj

Një foshnjë rreth njëmuajshe humbi jetën në fshatin Qubrel të Skenderajt. Prindërit deklaruan se e kishin vënë në gjumë mbrëmjen paraprake, ndërsa në mëngjes e kishin gjetur pa frymëmarrje.

Trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime, ndërsa Prokuroria ka iniciuar rastin si “Hetim mbi vdekjen”.

E rëndë | Tentoi t’i jepte fund jetës, babai denoncon dhunën e vazhdueshme në familje – i riu nga Prishtina përfundon në ndalim

Një i ri nga Prishtina u dërgua në QKUK pas një tentative për vetëvrasje. Gjatë trajtimit të rastit, babai i tij denoncoi se familja përballej prej kohësh me dhunë fizike dhe psikologjike nga i biri.

Pas trajtimit mjekësor, i riu u shoqërua në Polici dhe u ndalua për 48 orë lidhur me dyshimet për dhunë në familje.

Pranoi se konsumon kokainë dhe se goditi bashkëshorten me shuplakë në fytyrë – 34-vjeçari në Prishtinë lirohet në procedurë të rregullt

Një 26-vjeçare në Prishtinë denoncoi bashkëshortin 34-vjeçar për dhunë fizike.

Gjatë intervistimit, ai pranoi se e kishte goditur me shuplakë në fytyrë dhe se konsumon kokainë. Ndaj tij u iniciua rast për dhunë në familje, por u lirua në procedurë të rregullt.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali