
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë që ndodhi më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas vendimit të Gjykatës, paraburgimi mund të zgjasë deri më 18 dhjetor 2026, ndërsa Hoti po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në kërkesën e Prokurorisë, të cilës i referohet Gjykata, thuhet se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12:00, pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve.
I dyshuari Rrahman Hoti dyshohet se kishte shtënë disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D. Fillimisht, ai kishte qëlluar përmes xhamit të automjetit, ndërsa më pas kishte vazhduar të shtënat edhe pasi i kishte hapur dyert e veturës.
Në momentin e të shtënave, pranë viktimës ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur. Sipas Prokurorisë, edhe jeta e tyre ishte vënë në rrezik nga të shtënat me armë zjarri.
Pas plagosjes, viktima ishte dërguar fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, e më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kishin konstatuar vdekjen e tij.
Ndërkohë, pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit, por më vonë ishte lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia kishte sekuestruar armën e dyshuar të përdorur në vrasje, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit në banesën e tij, ishin gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.
Një tjetër detaj që bëhet i ditur në vendimin e Gjykatës është se Rrahman Hoti rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Gjykata ka vlerësuar se në këtë rast ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurit, duke marrë parasysh edhe faktin se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas të shtënave.
Po ashtu, sipas Gjykatës, pesha e veprave penale për të cilat dyshohet, rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe faza fillestare e hetimeve e bëjnë të nevojshëm caktimin e masës së paraburgimit.
Kjo masë, sipas arsyetimit të Gjykatës, është e domosdoshme për të siguruar praninë e të pandehurit dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Burimi: Insajderi