Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat

Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat

Written by

in

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, u është drejtuar deputetëve të Prishtinës me kërkesë që, përmes mekanizmave parlamentarë, të kërkojnë sqarime nga Ministria e Financave për mosnënshkrimin e marrëveshjes me bankën gjermane për zhvillim KfW për projektin e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Në letrën drejtuar deputetëve, Musmurati ka thënë se projekti parasheh investime në vlerë të përgjithshme prej 74.1 milionë eurosh dhe se synon të përmirësojë kapacitetet për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, çështje që, sipas saj, prek drejtpërdrejt rreth 450 mijë qytetarë të këtij rajoni, raporton Telegrafi.

Ajo ka bërë të ditur se procesi për përgatitjen e projektit ka nisur në vitin 2023, në bashkëpunim ndërmjet Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Ministrisë së Financave, Komunës së Prishtinës dhe KfW-së.

Sipas Musmuratit, faza e parë e projektit kap vlerën prej 24.1 milionë eurosh, prej të cilave 4.1 milionë euro janë grant dhe 20 milionë euro kredi e butë. Kjo fazë përfshin blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe modernizimin e shërbimit të pastrimit.

Ndërkaq, faza e dytë parasheh investime prej rreth 50 milionë eurosh për ndërtimin e një qendre për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave, si dhe zgjerimin e mëtejmë të kapaciteteve.

Në letër thuhet se projekti është trajtuar në negociatat ndërqeveritare Kosovë-Gjermani në prill të vitit 2024, ndërsa më 18 dhjetor të po atij viti, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në parim nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë, duke obliguar Ministrinë e Financave të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.

Megjithatë, sipas Musmuratit, marrëveshja e grantit dhe e kredisë ende nuk është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas takimeve me KfW-në, jemi njoftuar që ministri Murati po refuzon ta fillojë projektin që e zgjidhë çështjen e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë”, ka shkruar ajo.

Musmurati ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Komuna e Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-ja i janë drejtuar bashkërisht ministrit Murati, duke kërkuar përshpejtimin e procedurave dhe finalizimin e marrëveshjes, por sipas saj, deri më tani nuk është arritur nënshkrimi i saj.

Për këtë arsye, ajo u ka kërkuar deputetëve që të kërkojnë nga Ministria e Financave sqarime zyrtare për statusin e marrëveshjes dhe arsyet e mosnënshkrimit.

“Kjo çështje nuk duhet të trajtohet si përplasje ndërmjet institucioneve apo partive politike. Është çështje e shërbimeve publike, e mjedisit dhe e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka theksuar Musmurati.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e Prishtinës që të angazhohen për tejkalimin e, siç i ka quajtur, inateve politike dhe për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

“Prishtina ka nevojë për zgjidhje konkrete, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të dinë pse një projekt kaq i rëndësishëm vazhdon të mbetet pa marrëveshje përfundimtare të financimit”, ka shkruar nënkryetarja e Kryeqytetit.

Musmurati ka kërkuar gjithashtu që deputetët ta njoftojnë për hapat që mund të ndërmarrin në kuadër të kompetencave të tyre parlamentare. /Telegrafi/