
Prokuroria Themelore në Ferizaj është marrë tri ditë me pyetjet e ‘Kiks Kosova’, në Klan Kosova, për të dhënë disa përgjigje, lidhur me sulmin ndaj ekipit të emisionit, që ndodhi javën e kaluar, përkatësisht më 7 tetor.
Prokurori i rastit, Ardian Emini, vendosi që ta lirojë të dyshuarin Ilir Rexhepi, duke mos bërë kërkesë për masën e paraburgimit, me arsyetimin e “vlerësimit të rrethanave dhe rolit të tij në kryerjen e verpës penale”.
“Sa i perket te dyshuarit I.R. i cili fillimisht është ndaluar për 48-orë dhe më pas është liruar, ai është paraqitur vulllnetarisht në Polici dhe ka pranuar përfshirjen e tij në rast. Pas vlerësimit të rrethanave dhe rolit të tij në kryerjen e veprës penale, ndaj tij nuk është kërkuar caktimi i kësaj mase bazuar në vlerësimin e Prokurorit të Shtetit.”
Në përgjigjet e dërguara në redaksinë e Kiksit, PTh i ka konfirmuar raportimet për dyshimet e ngritura kundër të dyshuarit Rexhepi, për veprat “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” – pasi ky i fundit dyshohet edhe për vjedhjen e kamerës së ekipit.
Pikërisht autori që u la i lirë, i cili ngarkohet me dy vepra penale, sipas informacioneve të emisionit, edhe ka manipuluar me prova.
Për këtë pjesë, Prokuroia që e la të lirë të dyshuarin, thotë se është në fazë të hetimeve.
“Sipas raportit të Policisë në momentin kur hetuesit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, DVR-të nuk kanë qenë . Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim më Policinë, është në fazën e hetimeve për të sqaruar rrethanat e rastit, përfshirë këtu edhe atë se çfarë cka ka ndodhur me paisjet e DVR.”
Por, përkundër të gjitha këtyre, Prokruoria Themelore në Ferizaj nuk ka ushtruar fare kërkesë për masë sigurie, edhe pse kanë siguruar se po e trajtojnë çëshjten me “seriozitetin më të madh”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju siguron se me seriozitetin më të madh është duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen në tërësi të këtij rasti, si në aspektin e identifikimit te personave të përfshirë, po ashtu edhe të sigurimit të të gjitha provave, me theks të veçantë në rastet që përfshijnë gazetarët.”
Personat që Prokuroria fillimisht tha se janë në arrati, e që dyshohen se kanë gisht në rast, akoma nuk janë kapur, e madje nuk është arritur as të zbulohet identiteti i tyre.
“Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj është në fazën e identifikimit të ktyre personave, nga dëshmitë e disa dëshmitarëve dhe vet dëshmia e gazetarës, të njëjtit nuk kanë mundur që të identifikohen deri më tani. Personat e tjerë të dyshuar që janë të përfshirë në këtë rast, vazhdojnë të jenë në arrati dhe janë duke u ndërmarre veprime hetimore për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Ka edhe persona tjerë të dyshuar, por që Prokuroria është në fazën e identifikimit të tyre dhe në momentin që identifikohen ndaj tyre do të merren veprimet e nevojshme ligjore, në koordinim me Policinë e Kosovës nga DKKO në Prishtinë.”
Emini, i cili është përgjegjësi për trajtimin dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore, në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj, si prokuror i rastit, në kohën e denoncimit të incidentit, ka qenë prokuror kujdestar.
“Të gjitha rastet që ndodhin në kujdestari të një prokurori dhe që kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore si arrestimet apo ndalimet e personave, rasti trajtohet nga Prokurori kujdestar, e që në këtë rast konkret, i njëjti është edhe koordinator për veprat penale që kryhen ndaj gazetarëve.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.