Nagavci bëri të ditur se përgatitjet për fazën e Apelit duhet të zhvillohen përmes një strategjie shtetërore, duke vlerësuar se kjo çështje kërkon koordinim dhe angazhim institucional.
Ajo rikujtoi se rezervat e LVV-së për projektligjin ishin shprehur edhe gjatë seancës parlamentare, përmes deklarimeve të saj dhe të kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, sipas saj, partia ka vendosur t’u japë mbështetje deputetëve që kanë vlerësuar se kjo nismë mund të kontribuojë në adresimin e çështjes.
E pyetur nëse ka nisur koordinimi ndërmjet institucioneve, Nagavci nuk dha një afat konkret, por theksoi se përgatitjet për fazën e Apelit duhet të jenë pjesë e një qasjeje të përbashkët shtetërore.
Ajo tha se qëllimi i përbashkët mbetet mbrojtja e qëndrimit se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, ndërsa Serbinë e akuzoi për agresion dhe gjenocid.
Sipas Nagavcit, kjo çështje nuk duhet të trajtohet vetëm përmes një nisme ligjore, por kërkon veprim të koordinuar institucional dhe zbatim të strategjisë shtetërore.
Burimi: RTKLive
