Policia kufitare e Serbisë ka deklaruar se Milan Radoiçiq nuk mund ta kalojë në mënyrë të ligjshme kufirin shtetëror, nëse ndaj tij është në fuqi ndalesa për largim nga vendi ose nëse është lëshuar fletarrestim aktiv.
Në një reagim lidhur me rastin e ish-zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vulin, i cili udhëtoi drejt Moskës me një aeroplan të kthyer më pas në Beograd, policia kufitare sqaroi procedurat e kontrollit në kufi dhe përmendi edhe rastin e Radoiçiqit.
“Nënvizojmë se çdo person ndaj të cilit është shqiptuar ndalesë për kalimin e kufirit shtetëror ose për të cilin ekziston një kërkim aktiv policor, nuk mund ta kalojë ligjërisht kufirin shtetëror”, thuhet në deklaratën e policisë kufitare, shkruan N1.
Ky reagim vjen në kohën kur në opinion janë ngritur pyetje për vendndodhjen e Radoiçiqit, i cili dyshohet se është larguar nga Serbia dhe ka shkuar në Rusi, megjithëse gjykata ia kishte marrë përkohësisht pasaportën dhe i kishte ndaluar largimin nga vendi.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar caktimin e paraburgimit ndaj tij dhe lëshimin e një fletarrestimi, për shkak të shkeljes së masës së ndalimit për largim nga vendbanimi.
Radoiçiq është organizator i sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai kishte marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm.
Policia kufitare serbe theksoi gjithashtu se kompetencat për kufizimin e lirisë së lëvizjes i takojnë organeve gjyqësore dhe se ajo nuk mund t’ia ndalojë lëvizjen asnjë personi nëse një kufizim i tillë nuk është përcaktuar me ligj ose me vendim gjykate. /Telegrafi/