
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 52 raste të reja gjatë periudhës 2-9 tetor 2026, prej të cilave 43 raste kanë të bëjnë me dhunën në familje.
Sipas të dhënave të ZMNV-së, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar edhe një rast i trafikimit, dy raste të dhunës seksuale, një rast i sulmit seksual, dy raste të vrasjes dhe tri raste të tjera.
Përveç trajtimit të rasteve, mbrojtësit e viktimave kanë përcjellë edhe procedurat gjyqësore dhe institucionale. Gjatë javës janë mbajtur 91 seanca gjyqësore dhe 11 seanca në prokurori, ndërsa janë ofruar 34 këshilla juridike.
Në të njëjtën periudhë, gjykatat kanë aprovuar pesë kërkesa për urdhër mbrojtjeje, gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente dhe katër kërkesa për urdhër mbrojtjeje të përkohshme emergjente. Ndërkohë, nëntë kërkesa për urdhër mbrojtjeje kanë qenë në proces, ndërsa dy janë refuzuar nga gjykata.
Sipas raportit, gjatë kësaj jave janë nxjerrë edhe pesë aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues. Po ashtu, janë paraqitur dy ankesa në shkallë të dytë, nëntë parashtresa dhe dy kërkesa për kompensim pranë komisionit të Ministrisë së Drejtësisë.
ZMNV-ja ka realizuar gjithashtu një përfaqësim të rastit në polici, tri referime në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) dhe një referim në Qendrën për Punë Sociale (QPS).