
Barcelona ka marrë një sinjal pozitiv në garën për transferimin e mbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni, pasi e ardhmja e futbollistit italian në “San Siro” vazhdon të jetë e paqartë.
Sipas gazetarit italian Pasquale Guarro, drejtuesit e Interit dhe përfaqësuesit e Bastonit kanë zhvilluar së fundmi një takim, por deri më tani nuk kanë nisur negociatat konkrete për rinovimin e kontratës.
Raportohet se palët kanë vendosur të presin për të parë se çfarë ofertash do të paraqiten në treg për mbrojtësin 27-vjeçar, përpara se të marrin një vendim për të ardhmen e tij.
Kontrata aktuale e Bastonit me Interin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028, kështu që klubi italian ka ende kohë për të bindur lojtarin të vazhdojë bashkëpunimin.
Megjithatë, mungesa e përparimit në bisedimet për një marrëveshje të re ka rikthyer në vëmendje mundësinë e largimit të tij nga “San Siro”.
Në këtë situatë, Barcelona mbetet një nga klubet më të interesuara për shërbimet e mbrojtësit italian, të cilin e ka në listën e objektivave për përforcimin e repartit defensiv.
Klubi katalunas kishte shqyrtuar seriozisht transferimin e Bastonit edhe gjatë afatit kalimtar të verës, kur kishte zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e tij për t’u informuar rreth kushteve të një marrëveshjeje të mundshme.
Megjithatë, kërkesat e larta financiare të Interit kishin bërë që transferimi të mos konkretizohej në atë kohë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali