Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, të organizuar nga RIT Kosova dhe Special Competitive Studies Project (SCSP), ku mbajti fjalën hyrëse së bashku me ministren Mimoza Kusari-Lila, Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të SCSP-së, Yll Bajraktari, dhe Presidenten e RIT Kosova, Albina Balidemaj-Basha.
Në fjalën e tij, ministri Jagxhiu trajtoi ndërlidhjen ndërmjet teknologjisë, inovacionit dhe sigurisë kombëtare, me fokus të veçantë në inteligjencën artificiale dhe rëndësinë e zgjedhjeve strategjike që duhet të bëjë Kosova për zhvillimin e kapaciteteve të saj teknologjike.
Ai theksoi se, për një vend të vogël si Kosova, është thelbësore të përcaktohen kapacitetet që duhet të zhvillohen brenda vendit, teknologjitë që kërkojnë mbikëqyrje dhe kontroll institucional, si dhe fushat ku partneritetet ndërkombëtare mund të sjellin përfitimin më të madh. Në këtë kontekst, siguria, besueshmëria, mbikëqyrja njerëzore dhe gatishmëria institucionale janë elemente kyçe për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Një vëmendje të veçantë ministri Jagxhiu i kushtoi përgatitjeve për themelimin e Qendrës Nacionale të Ekselencës për Inteligjencë Artificiale, e cila synon të shërbejë si qendër e ekspertizës, kërkimit dhe zbatimit praktik të inteligjencës artificiale, duke bashkuar institucionet publike, akademinë, sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ministri Jagxhiu vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të ekspertizës, duke theksuar se hulumtimet dhe rekomandimet e iniciativave si National Security and Innovation Consortium (NSIC) mund të kontribuojnë në zhvillimin e politikave dhe kapaciteteve në këtë fushë. Ai shprehu gjithashtu interesimin për thellimin e bashkëpunimit me SCSP-në.
Synimi është që Kosova të mos mbetet vetëm përdoruese e teknologjive të reja, por të ndërtojë njohuritë, shkathtësitë dhe kapacitetet institucionale për zhvillimin dhe përdorimin e tyre në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme, në funksion të interesit dhe zhvillimit të vendit, theksoi ai.
Burimi: RTKLive
