
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar pas raportimeve se një zyrtar policor i këtij misioni dyshohet se ia drejtoi armën një familjari të Jakup Krasniqit, duke i kërkuar të kthehej brenda shtëpisë.
EULEX-i i ka cilësuar këto raportime si pretendime të pabazuara, duke i mohuar kategorikisht.
Në reagimin e misionit thuhet se zyrtarët policorë të EULEX-it, gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operacionale për Dhomat e Specializuara të Kosovës, në kuadër të vizitës së një të paraburgosuri për arsye humanitare, nuk kanë drejtuar armë ndaj askujt.
“EULEX-i i mohon kategorikisht këto pretendime dhe thekson se zyrtarët policorë të EULEX-it në asnjë moment nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt”, thuhet në reagim.
Më tej, misioni thekson se personeli i tij i trajton armët e zjarrit në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Ndërkohë, gjatë incidentit të raportuar, zyrtarët e EULEX-it janë përpjekur edhe të pengojnë xhirimet e gazetarëve.
Detajet në kronikën e mëposhtme: