Hetim për lidhjet e Nvidia-s me industrinë ushtarake kineze, dyshime për financime prej 3.6 miliardë dollarësh.
Alice Huang, gruaja që ndodhet në qendër të skandalit të Nvidia-s, dyshohet se ka lidhje të shumta të tërthorta me industrinë kineze të mbrojtjes dhe kompani të afërta me ushtrinë e Kinës.
Sipas një hetimi të inteligjencës, rreth 3.6 miliardë dollarë financime nga qeveria kineze kanë kaluar përmes kompanive të lidhura me familjen e Huang dhe partnerët e saj të biznesit, raporton newyorktimes.
Këto fonde dyshohet se kanë mbështetur projekte në të cilat janë përfshirë edhe çipat e prodhuar nga Nvidia.
Hetimi ka identifikuar një rrjet lidhjesh mes partnerëve të kompanisë amerikane dhe kontraktorëve ushtarakë kinezë, të cilët janë të përfshirë në zhvillimin e sistemeve raketore, aeroplanëve ushtarakë dhe pajisjeve elektronike.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë po hetojnë nëse çipat e Nvidia-s, eksporti i të cilëve drejt Kinës është i kufizuar, kanë përfunduar në këtë shtet dhe janë përdorur për qëllime ushtarake.
Megjithatë, deri më tani nuk është vërtetuar se këta çipa janë përdorur në projekte ushtarake kineze.
Ndryshe, Huang ishte drejtuese dhe aksionare kontrolluese e Megaspeed International, kompani me seli në Singapor. Megaspeed ishte partnere zyrtare e Nvidia-s në fushën e shërbimeve kompjuterike në cloud.
Kompania bleu çipa Nvidia në vlerë prej miliarda dollarësh. Sipas mediave, marrëdhënia e afërt me Jensen Huang ndihmoi në sigurimin e qasjes në çipat e Nvidia. /Telegrafi/