
Financieri amerikan Jeffrey Epstein kishte një interesim të veçantë për Rusinë, i cili fillimisht lidhej me gratë dhe vajzat e reja, por më vonë u zgjerua në përpjekje për të krijuar lidhje me oligarkët dhe zyrtarët e lartë të Kremlinit, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas një hulumtimi të Reuters, Epstein kishte synuar të siguronte edhe një takim personal me Putinin, ndërsa interesimi i tij për Rusinë ishte zhvilluar ndër vite në disa drejtime.
Në nëntor të vitit 2002, Epstein kishte udhëtuar drejt Rusisë me avionin e tij privat, së bashku me bashkëpunëtoren e tij britanike Ghislaine Maxwell dhe agjentin francez të modeleve, Jean-Luc Brunel.
Sipas personave në dijeni të udhëtimit, dokumenteve të fluturimeve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe një raporti të prokurorëve francezë, një nga arsyet personale të udhëtimit ishte vizita në një dhomë me ngjyrë vjollcë në Pallatin Aleksandër në Shën Petersburg.
Gjatë qëndrimit në Moskë, Epstein, Maxwell dhe Brunel kishin udhëtuar me automjete të blinduara dhe shoqërim të armatosur për të marrë pjesë në një mbrëmje në një restorant, ku ishin takuar me biznesmenin e pasur çeçen, Umar Dzhabrailov.
Pas kësaj, Epstein kishte kërkuar që shoferi të kalonte përgjatë rrugës Tverskaya, e njohur për praninë e prostitutave gjatë orëve të natës.
Megjithatë, sipas gjetjeve të Reuters, interesi i Epstein për Rusinë nuk ishte kufizuar vetëm në udhëtimet dhe kontaktet personale. Ai kishte tentuar gradualisht të ndërtonte marrëdhënie me njerëz të fuqishëm në qarqet ekonomike dhe politike ruse.
Të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik në rrjetin e tij
Një pjesë tjetër e hulumtimit të Reuters lidhet me rekrutimin dhe shfrytëzimin seksual të grave dhe vajzave nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Sipas agjencisë, janë identifikuar të paktën 17 gra nga këto vende, të cilat ishin përfshirë në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein.
Rekrutimi, sipas raportimit, lidhej edhe me rrjetet e modelimit dhe premtimet për mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara.
Në mesin e tyre janë edhe tri gra që kanë kërkuar drejtësi për abuzimin dhe shfrytëzimin që kishin përjetuar.
Zbulimet e reja të Reuters hedhin më shumë dritë mbi interesimin e Epstein për Rusinë, rrjetin e tij ndërkombëtar të kontakteve dhe përpjekjet për të krijuar lidhje me figura të fuqishme politike dhe ekonomike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali