Iku nga dhuna e bashkëshortit dhe u strehua te axha – burri e ndoqi në Gjakovë dhe dyshohet se e sulmoi me thikë, ia gjejnë edhe dy të tjera

Iku nga dhuna e bashkëshortit dhe u strehua te axha – burri e ndoqi në Gjakovë dhe dyshohet se e sulmoi me thikë, ia gjejnë edhe dy të tjera

Written by

in

Iku nga dhuna e bashkëshortit dhe u strehua te axha – burri e ndoqi në Gjakovë dhe dyshohet se e sulmoi me thikë, ia gjejnë edhe dy të tjera

Një grua që ishte larguar nga bashkëshorti për t’i shpëtuar dhunës së vazhdueshme është përballur me një tjetër ngjarje të rëndë në Gjakovë. Burri i saj dyshohet se e ka ndjekur deri te shtëpia e axhës, ku ajo kishte kërkuar strehim, dhe ka sulmuar me thikë familjarin që kishte dalë në oborr. Gjatë përleshjes, të dyshuarit i janë gjetur edhe dy thika të tjera, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 nëntor, rreth orës 02:10, në fshatin Lipovec të Gjakovës.

Sipas burimeve të Sinjalit, e dëmtuara, e identifikuar me inicialet F.K., ishte larguar nga Peja më 18 nëntor dhe kishte shkuar të qëndronte te axha i saj, F.G., pasi, sipas deklarimit të saj, kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti.

Por edhe pasi ishte larguar, gruaja kishte raportuar kërcënime nga burri.

Sipas informacioneve të siguruara, më 18 nëntor, derisa ndodhej te familjari i saj, ajo kishte pranuar një mesazh zanor, përmes të cilit bashkëshorti dyshohet se e kishte kërcënuar me jetë.

Tri ditë më vonë, në orët e para të mëngjesit, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku po qëndronte gruaja, me pretendimin se dëshironte të bisedonte me të.

Kur axha i gruas kishte dalë në oborr, sipas denoncimit, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë, duke e lënduar në faqe dhe në një gisht të dorës.

Gjatë përleshjes, familjari kishte arritur ta vinte nën kontroll të dyshuarin dhe, sipas informacionit policor, kishte gjetur edhe dy thika të tjera që ai mbante me vete.

Të tria thikat janë sekuestruar nga Policia.

Pas incidentit, gruaja ka njoftuar menjëherë Policinë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë ndërmarrë veprimet përkatëse.

Si familjari i sulmuar, ashtu edhe i dyshuari kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë trajtimit të rastit zyrtarët policorë kanë vërejtur se i dyshuari kundërmonte erë alkooli.

Personi i dyshuar është identifikuar me inicialet F.K., rreth 38 vjeç.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë.

Burimi: Sinjali