
Video-loja “Grand Theft Auto VI” ka realizuar 3.79 miliardë dollarë shitje vetëm brenda një dite, ka njoftuar të premten kompania publikuese Rockstar Games. Sipas kompanisë, më shumë se 32 milionë kopje të lojës janë porositur paraprakisht.
Loja, e cila zhvillohet në qytetin imagjinar Vice City, të frymëzuar nga Miami, ka përfituar nga kërkesa e akumuluar për 13 vjet, që nga publikimi i “Grand Theft Auto V”, raporton “New York Times”, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka marrë vlerësime jashtëzakonisht pozitive nga kritikët, të cilët kanë veçuar aksionin dhe përplasjet me armë, grafikën mbresëlënëse, universin virtual të detajuar dhe një histori dashurie më të ndjeshme nga sa pritej.
Rockstar Games, kompani në pronësi të Take-Two Interactive, në një komunikatë për media e cilësoi lansimin si “më të madhin në historinë e industrisë së argëtimit”.
Në disa aspekte, kjo shifër është e vështirë të kontestohet. Të hyrat prej 3.79 miliardë dollarësh do të përbënin arkëtimin më të madh global të realizuar ndonjëherë nga një film, duke tejkaluar me afro 900 milionë dollarë rekordin aktual të filmit “Avengers: Endgame”.
Filmi me të hyrat më të larta të këtij viti, “Spider-Man: Brand New Day”, ka arkëtuar 2.5 miliardë dollarë që nga publikimi para katër muajsh. Vetëm gjatë fundjavës së parë, ai kishte realizuar 932 milionë dollarë.
Ndërkohë, turneu i fundit i Taylor Swift, “The Eras Tour”, kishte kaluar shifrën prej dy miliardë dollarësh nga shitja e biletave, pas 149 koncerteve të mbajtura përgjatë gati dy vjetësh, duke u bërë turneu koncertor më fitimprurës i të gjitha kohërave.
Megjithatë, çmimi i “Grand Theft Auto VI” – 79.99 dollarë për versionin standard dhe 99.99 dollarë për versionin e avancuar – nënkupton se më shumë njerëz kanë blerë bileta për të parë filmin “Spider-Man: Brand New Day” dhe filma tjerë me fitime të larta.
Pritet që shitjet e lojës të vazhdojnë me ritëm të lartë edhe gjatë sezonit të festave të fundvitit, si dhe të rriten më tej kur ajo të bëhet e disponueshme për kompjuterë.
Aktualisht, loja mund të luhet në konsolat PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S.
Paraardhësja e saj, “Grand Theft Auto V”, shiti më shumë se 30 milionë kopje gjatë muajve të parë pas publikimit, ndërsa në vitet në vijim arriti të shesë edhe 200 milionë kopje të tjera.
Kur të publikohet versioni online i lojës, lojtarët pritet të shpenzojnë para edhe për blerjen e valutës virtuale, e cila mund të përdoret për të blerë veshje, vetura dhe klube nate brenda universit të Vice City.
Kompania e analizave financiare Wedbush Securities vlerëson se Rockstar Games do të gjenerojë 1.2 miliardë dollarë të hyra vjetore nga “Grand Theft Auto Online”, pasi versioni i ri të jetë në dispozicion. /Klankosova.tv