Tërmeti i fuqishëm trondit Perunë, panik në kryeqytet – qytetarët braktisin banesat

Tërmeti i fuqishëm trondit Perunë, panik në kryeqytet – qytetarët braktisin banesat

Written by

in

Tërmeti i fuqishëm trondit Perunë, panik në kryeqytet – qytetarët braktisin banesat

Një tërmet me magnitudë 6.7 ka goditur Perunë, duke shkaktuar panik në disa zona të vendit, përfshirë kryeqytetin Lima, ku qindra persona kanë dalë nga banesat dhe ndërtesat publike për t’u siguruar.

Tërmeti u regjistrua në orën 19:09 sipas kohës lokale, (00:09 me orën shqiptare). Epiqendra ishte në rajonin malor të Andeve, në Junín, rreth 30 kilometra në veriperëndim të qytetit me të njëjtin emër, ndërsa lëkundjet u shkaktuan në një thellësi prej 129 kilometrash.

Goditjet u ndjenë në disa rajone të Perusë, mes tyre Lima, Callao, Ica, Pasco dhe Huánuco. Në lagjen Miraflores të kryeqytetit, gazetarët e Agjencisë France-Presse raportuan se shumë banorë dolën në rrugë si masë paraprake. Lëkundjet u ndjenë edhe në disa zona të Ekuadorit.

Megjithëse njoftimet e para nuk raportuan për viktima apo dëme të mëdha, kontrollet e mëvonshme nga autoritetet e Mbrojtjes Civile evidentuan dëme në disa zona. Në rajonin e Junin u prekën banesa dhe objekte publike, mes tyre spitali i Pichanaqui-t dhe disa ndërtesa universitare në Chanchamayo. Në zonën e Ulcumayo-s u raportuan 14 banesa të dëmtuara.

Përveç dëmeve materiale, tërmeti shkaktoi edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrëshqitje gurësh në disa rrugë. Probleme u raportuan veçanërisht në akset që lidhin Tarma-n me San Ramón-in, si dhe në rrugën mes Limës dhe Huancayo-s. Ekipet e emergjencës ndërhynë për të larguar gurët dhe materialet e rëna në rrugë. Deri në përditësimin e fundit nuk raportohet për persona të vdekur apo të plagosur.

Peruja është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve, pasi ndodhet në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit e Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik që rrethon Oqeanin Paqësor. Rreziku lidhet edhe me përplasjen e pllakës tektonike Nazca me atë të Amerikës së Jugut.

Në vitin 2007, një tërmet me magnitudë 7.9 goditi rajonin e Ica-s në Peru, duke shkaktuar rreth 500 viktima.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali