Kosova rrezikon të përballet me ndërprerje të energjisë elektrike edhe këtë dimër. Prodhimi vendor nuk mjafton për ta mbuluar kërkesën, ndërsa çmimet e larta të importit e vështirësojnë furnizimin e rregullt.
Qeveria i përmendi çmimet e importit dhe pasigurinë për rikthimin në punë të njësisë B1 të termocentralit “Kosova B” ndër arsyet për shpalljen e masave emergjente 60-ditore më 16 nëntor.
Masat parashohin prodhimin e energjisë nga hidrocentrali i Ujmanit, sidomos në orët e pikut, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe krijimin e një komiteti teknik për të monitoruar furnizimin.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria mori edhe dy vendime për tregtinë dhe importin e energjisë. Ajo ndaloi tregtimin me ndërmarrjet e lidhura me Serbinë, me përjashtim të transaksioneve që burojnë nga marrëveshjet e dialogut për energjinë.
Gjithashtu, e ngarkoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) të sigurojë kapacitete ndërkufitare për import gjatë dhjetorit.
Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, paralajmëron se ndërprerjet e rrymës gjatë dimrit do t’i godasin veçanërisht bizneset prodhuese, që detyrohen të përdorin gjeneratorë dhe të përballen me kosto shtesë.
“Do të ketë ndërprerje të rrymës fatkeqësisht… ndërprerje të cilat do të prodhojnë kosto në fushën e ekonomisë”, tha Çeku në podkastin “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë.
Sipas Çekut, politikat energjetike deri më tani janë përqendruar te riparimet e përkohshme të blloqeve të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ai thotë se investimet në kapacitete të reja prodhuese, përfshirë ato nga dielli dhe era, kanë qenë të pamjaftueshme.
“Ne kemi rreth 5.000 megavatë hapësirë për të instaluar energji të pastër dhe i kemi të shfrytëzuar diku 2-3%”, tha ai.
Çeku ia atribuon mungesës së investimeve në prodhimin vendor edhe shpenzimet e larta për import. Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri me kapacitet prej 300 deri në 400 megavatësh në termocentralin “Kosova A” mund ta kishte ulur ndjeshëm nevojën për blerjen e energjisë elektrike.
Ndalimi i tregtisë me kompanitë serbe
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, Çeku tha se nuk pret që ky vendim të ketë ndikim në çmimin e energjisë.
“Unë nuk e shoh diçka që është bërë ndonjë hap i mençur. Energjia nuk duron mekanizma apo korniza politike, është treg i hapur. Neve na nevojitet që të blejmë energji me kosto sa më të lirë për qytetarin dhe për bizneset tona”, tha ai për REL.
Ai kërkon gjithashtu bashkëpunim më të madh me Shqipërinë në sektorin e energjisë, veçanërisht për shkëmbimin e energjisë elektrike, duke shfrytëzuar kapacitetet e burimeve të ripërtëritshme të të dyja vendeve.
“Është shumë e papranueshme, e pakuptueshme se si kryeministri ynë [Albin Kurti] nuk ulet me bisedu me kryeministrin e Shqipërisë [Edi Rama] dhe ta përzgjedh bashkëpunimin afatgjatë me KESH-in”, tha ai duke iu referuar bashkëpunimit me Korporatën Energjetike të Shqipërisë.
Si një mundësi tjetër për diversifikimin e burimeve energjetike, Çeku përmendi edhe gazin amerikan, i cili mund të vijë përmes Maqedonisë së Veriut, duke sugjeruar ndërtimin e kapaciteteve prodhuese pranë kufirit me këtë shtet.
“Masat emergjente nuk e zgjidhin krizën”
Duke folur për masat emergjente të Qeverisë së Kosovës, të parapara për një periudhë 60-ditore, Çeku shprehu dyshime për efektin e tyre në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
“Po s’e besoj që ka fare efekt”, tha ai ai për REL, duke iu referuar edhe mundësisë së rritjes së prodhimit nga Ibër-Lepenci në kohën e pikut, si një nga masat emergjente, por që, sipas tij, varet kryesisht nga reshjet dhe sasia e ujit të akumuluar.
Si zgjidhje, Çeku sugjeron rehabilitimin e thellë të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B, ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe krijimin e kushteve për investime private në energjinë solare.
Sa i përket kohës që do të duhej për të ndryshuar gjendjen në sektorin energjetik, Çeku tha se Kosova nuk mund të bëhet e pavarur nga importi brenda një apo dy vjetësh.
“Nuk ka shans para katër vjetësh të zgjidhet problemi me prodhime të brendshme që mund të krijohen”, tha ai.
Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri kërkon së paku katër deri në pesë vjet, ndërsa zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme mund të marrë dy deri në tre vjet.