Çitaku: Marta Kos të shqetësohet për drejtësinë në Hagë, jo për ligjet e Kuvendit

Çitaku: Marta Kos të shqetësohet për drejtësinë në Hagë, jo për ligjet e Kuvendit

Written by

in

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj qëndrimeve të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Çitaku ka thënë se Kos duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit gjyqësor në Hagë, e jo për ligjet që miraton Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve.

Sipas saj, synimi i ndryshimeve ligjore nuk është shmangia nga drejtësia, por garantimi i një gjykimi të drejtë dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

“Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit.

Askush nuk dëshiron t’i shmanget drejtësisë. Përkundrazi, duam që procesi të kthehet në binarë të drejtë, të garantohet një gjykim i drejtë dhe të respektohen të drejtat themelore të njeriut.

Gjykatën Speciale e kemi themeluar për ta hequr një njollë të zezë nga historia jonë, atë të pretendimeve për trafikim të organeve që burojnë nga raporti i Dick Marty-t, e jo për t’ia sjellë Kosovës një njollë të re, atë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke vënë në pikëpyetje karakterin çlirimtar të luftës sonë.

Kosova nuk po shkel asnjë nga detyrimet që ka marrë përsipër në raport me Bashkimin Evropian. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet. Ajo do të vazhdojë të ekzistojë dhe të ushtrojë mandatin e saj. Debati për ndryshimet ligjore nuk nënkupton shmangie nga drejtësia, por synon që procesi të zhvillohet në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces janë dokumentuar edhe nga The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC). Këto shqetësime meritojnë vëmendje serioze dhe trajtim të drejtë.

Vetë Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në vendimin KSC-CC-2022, paragrafin 83, ka trajtuar të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të
Specializuara përmes ligjit.

Po ashtu, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosovës i takon të vendosë për ndryshimet ligjore. Për këtë arsye, qëndrimi i komisioneres Marta Kos ngre pikëpyetje për koherencën e qëndrimeve brenda vetë Komisionit Evropian.
Kuvendi i Kosovës ka të drejtë dhe përgjegjësi ta ushtrojë mandatin e tij kushtetues e ligjor. Deputetët janë përfaqësues të popullit dhe kanë detyrim të veprojnë në mbrojtje të interesit të qytetarëve, të së vërtetës dhe të drejtësisë.

NATO dhe Bashkimi Evropian kanë qenë aleatë të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Këtë partneritet e vlerësojmë thellësisht dhe besojmë se dialogu, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë janë rruga përpara.

Kuvendi i Kosovës i ka dyert e hapura. Jemi kurdo të gatshëm të ulemi, të bisedojmë dhe të eliminojmë çdo keqkuptim. Jam e bindur se, me mendje të hapur dhe qasje konstruktive, duke pasur si qëllim të përbashkët drejtësinë, do t’i tejkalojmë të gjitha keqkuptimet dhe në fund do të gjejmë pajtim.

Ne nuk kërkojmë privilegj dhe as shmangie nga drejtësia. Kërkojmë drejtësi të vërtetë, respektim të të drejtave të njeriut dhe një proces që nuk e cenon të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare.

Drejtësia dhe partneriteti me aleatët tanë nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Përkundrazi, drejtësia është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi”, ka shkruar Citaku.

Burimi: Dukagjini