
Ushtria e Kosovës po vazhdon ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe gatishmërisë operacionale, kësaj radhe duke testuar armatimin e rëndë në poligonet e Shqipërisë.
Në kuadër të avancimit të kapaciteteve të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake (RML) kanë realizuar me sukses qitje me municion luftarak me mortajën 120 mm të sistemit “Vuran”, në poligonin e Bizës, në Republikën e Shqipërisë.
Për të përcjellë nga afër këtë aktivitet dhe zbatimin e procedurave të mbështetjes luftarake me zjarr indirekt, në Bizë qëndroi Komandanti i KFT-së, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij, Atasheu Ushtarak i FSK-së në Shqipëri, si dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).
Gjatë këtij ushtrimi, pjesëtarët e RML-së dëshmuan profesionalizëm të lartë në zbatimin e rregullave të sigurisë dhe operimin me sistemin modern “Vuran”.
Në fund të aktivitetit, Gjeneral Brigade Lladrovci falënderoi përfaqësuesit e FARSH-së për mbështetjen e vazhdueshme vëllazërore, si dhe ushtarakët e RML-së për përkushtimin e treguar në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali