
Xhudistët e rinj të Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, duke sjellë medalje të reja për vendin. Këtë herë, suksesi vjen nga Selaniku i Greqisë, ku xhudisti kosovar Milot Gashi ka fituar medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë.
Gashi, i cili garoi në kategorinë deri në 66 kilogramë, zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse me plot fitore bindëse deri në sigurimin e podiumit.
Rrugëtimin e tij drejt medaljes ai e nisi fuqishëm, duke mposhtur me Ippon garuesin vendas, Nikolaos Tosounidis, në xhiron e parë. Ecurinë e shkëlqyer e vazhdoi edhe në përballjen e dytë, ku triumfoi sërish me Ippon ndaj xhudistit italian, Francesco Robert Di Benedetto. Serinë e fitoreve të pastra me Ippon e kompletoi në xhiron e tretë, duke e mposhtur garuesin Ariel Yehuda Cohen.
Në fazën çerekfinale, Milot Gashi u ndal nga moldavi Vladislav Moga, rezultat që e dërgoi atë në garat e repasazhit. Megjithatë, xhudisti kosovar u rikthye fuqishëm, duke arritur një tjetër fitore me Ippon ndaj grekut Anastasios Kiourtzidis, çka i siguroi atij luftën vendimtare për medaljen e bronztë.
Në duelin final për podium, Milot Gashi u përball me xhudistin serb, Luka Dangubiq. Në një luftë mjaft të fortë, Gashi arriti ta mposhtë kundërshtarin me Yuko, duke u kurorëzuar kështu me medaljen e bronztë në këtë garë prestigjioze evropiane.
Një rol kyç në këtë sukses të madh të xhudistit të ri patën edhe trajnerët e tij, Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi, të cilët e udhëhoqën dhe e këshilluan nga afër gjatë gjithë garës në Selanik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali