Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lumni Lushaj, në Prizren është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Akademia, e organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka mbledhur familjarë, miq, bashkëpunëtorë, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fjalës së tij tha se Lushaj ishte një figurë e veçantë, atdhetar i devotshëm dhe mik i paharruar.
“ Sot po e nderojmë një figurë të veçantë, një atdhetar të devotshëm dhe mikun tim të paharruar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë”, u shpreh Totaj.
Për jetën dhe veprimtarinë e të ndjerit foli edhe miku dhe bashkëveprimtari i tij, Elmi Reçica, i cili theksoi rëndësinë e kontributit të Lushajt në rrugëtimin kombëtar.
“Jemi mbledhur që të përkujtojmë një personalitet të veçantë, veprimtar të rrallë, bashkëluftëtar e njeri që e lidhi gjithë jetën e tij me fatin e Kosovës”, tha Reçica.
Ndërkaq, kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, vlerësoi kontributin e tij ndër vite.
Ai tha se “Lumni Lushaj ishte një personalitet i nderuar, i cili la gjurmë të pashlyeshme gjatë rrugëtimit të veprimtarisë së tij kombëtare”.
Në emër të familjes, të pranishmëve iu drejtua e bija e të ndjerit, Diellza Lushaj, e cila foli për figurën e babait si prind dhe veprimtar.
Ajo theksoi se babai i saj ishte “një prind shembullor e veprimtar i devotshëm”, duke shtuar se këto virtyte e bëjnë atë krenari të përhershme të familjes.
Pas akademisë përkujtimore, të pranishmit kanë bërë homazhe te varri i Lumni Lushajt në fshatin Gjonaj.
Lumni Lushaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtar i çështjes kombëtare, humbi jetën më 18 nëntor 2025, në një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Burimi: RTKLive
