Gucati për Krasniqin: Jetën ia fali lirisë, padrejtësia ndaj tij duhet të marrë fund

Gucati për Krasniqin: Jetën ia fali lirisë, padrejtësia ndaj tij duhet të marrë fund

Written by

in

Gucati për Krasniqin: Jetën ia fali lirisë, padrejtësia ndaj tij duhet të marrë fund

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar vizitën katërditore të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Gucati ka vlerësuar kontributin e Krasniqit për Kosovën, duke thënë se ai ia kushtoi jetën lirisë dhe të ardhmes së vendit.

Ai ka shprehur shqetësimin edhe për kufizimet që, Krasniqi i pati në takimet me familjarët.

“Një burrë që jetën ia fali Kosovës, që nga rinia e hershme e deri më sot nuk ndali asnjë çast për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e këtij vendi, ta shohësh në këtë moshë duke u përballur me gjithë këto padrejtësi, është një dhimbje e rëndë për çdo zemër që e do këtë tokë, transmeton Klankosova.tv.

​Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që atij nuk po i lejohet as liria më elementare njerëzore, të takojë lirisht familjen e tij, madje as vëllezërit e tij. Ky kolos i madh i kombit, që dha gjithçka që Kosova të frymojë e lirë, sot mbahet larg të dashurve të tij nën peshën e padrejtësisë.

​Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë”, shkruan Gucati, transmeton Klankosova.tv.

Gucati ka shprehur shpresën që, padrejtësia ndaj Jakup Krasniqit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë të marrë fund sa më shpejt.

“E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”, shtoi ai.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së ​Jakup Krasniqi sot përfundoi vizitën në Kosovë.