“Ky është vetëm fillimi” – fshati britanik voton për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar

“Ky është vetëm fillimi” – fshati britanik voton për t'u larguar nga Mbretëria e Bashkuar

Written by

in

Banorët e fshatit Barnham, në Suffolk të Anglisë, kanë votuar me shumicë dërrmuese për t’u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar, në një referendum simbolik të organizuar si protestë ndaj planeve qeveritare për strehimin e azilkërkuesve në një ish-bazë ushtarake.

Nga votat e hedhura, 257 banorë, ose 94 për qind e pjesëmarrësve, votuan në favor të pavarësisë, ndërsa 16 kundër.

Një votë u shpall e pavlefshme, raporton BBC.

Referendumi u organizua pasi qeveria britanike propozoi që ish-baza ajrore RAF Barnham të shndërrohej në qendër strehimi për deri në 931 azilkërkues meshkuj.

Megjithëse votimi nuk ka fuqi ligjore, banorët e festuan rezultatin duke prezantuar edhe një flamur të ri, ndërsa drejtuesit lokalë paralajmëruan vazhdimin e protestave.

“Kjo është vetëm fillimi. Puna e vërtetë nis nesër”, deklaroi aktivisti Ken Jordan, duke theksuar se referendumi ka tërhequr vëmendjen ndaj shqetësimeve të komunitetit.

Kryetari i këshillit lokal, John Bauer, bëri të ditur se fshati do ta shpallë veten simbolikisht si “Bailiwick of Barnham”.

Disa banorë kanë shprehur shqetësime për sigurinë dhe ndikimin që mund të ketë vendosja e qindra azilkërkuesve në komunitetin e tyre, ndërsa të tjerë kanë kritikuar mungesën e konsultimeve nga autoritetet.

Ndërkohë, deputeti laburist i zonës, Peter Prinsley, ka deklaruar se do t’ia përcjellë kundërshtimet e banorëve ministrit të Imigracionit.

Qeveria britanike ka theksuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për përdorimin e bazës, duke garantuar se siguria e komunitetit do të jetë përparësi nëse projekti realizohet.

Barnham është fshati i dytë britanik që organizon një referendum të tillë simbolik, pas Piddingtonit në Oxfordshire, ku banorët votuan për një nismë të ngjashme në shtator. /Telegrafi/