
Buxheti i Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare është plotësuar me 20 milionë euro shtesë për mbulimin e kostos së pensioneve bazike, në kuadër të ndryshimeve të fundit buxhetore për vitin 2026, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo ndarje financiare është realizuar përmes Ligjit Nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Bazuar në nenin 6 të këtij ligji, shuma prej 20 milionë eurosh i shtohet buxhetit të Departamentit të Pensioneve, konkretisht në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për pensionet bazike. Kjo shumë paraqet shtesë mbi ndarjen ekzistuese buxhetore të këtij viti dhe është dedikuar ekskluzivisht për financimin e kësaj kategorie.
Në tabelat fiskale të buxhetit, shpenzimet e përgjithshme për subvencione dhe transfere gjatë vitit 2026 janë parashikuar në vlerë prej 1 miliard e 378.1 milionë eurosh, kategori e cila përfshin edhe një sërë pagesash të tjera sociale.
Megjithatë, rishikimi buxhetor nuk parasheh rritje të shumës individuale të pensionit bazik dhe nuk përcakton asnjë ndryshim në skemën aktuale pensionale. Kujtojmë se, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 200 mijë qytetarë janë përfitues të kësaj skeme pensionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali