Ministria e Brendshme e Francës tronditet nga hetimet për rrjedhjen e informacioneve sekrete te ekstremi i djathtë

Ministria e Brendshme e Francës tronditet nga hetimet për rrjedhjen e informacioneve sekrete te ekstremi i djathtë

Written by

in

Ministria e Brendshme e Francës është përfshirë në një krizë pas dyshimeve se një zyrtar i lartë shtetëror ka përcjellë informacione konfidenciale te partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN), lidhur me hetimet ndaj saj.

Hugues Moutouh, prefekt i rajonit Centre-Val de Loire, dyshohet se ka informuar partinë për hetimet që e shënjestronin atë. Pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë, çështja ka shkaktuar tensione në institucionet shtetërore.

Të shtunën, Moutouh njoftoi se kishte kërkuar të lirohej nga detyra. Në një deklaratë të publikuar në llogarinë zyrtare të prefekturës në Orléans në rrjetin X, ai dënoi atë që e cilësoi si “fushatë destabilizimi”, duke pretenduar se çështja shkon përtej personit të tij dhe synon institucionet dhe vetë trupën e prefektëve.

“Përmes meje, po tentohet të sulmohet vetë autoriteti i shtetit”, deklaroi ai, transmeton Telegrafi.

Moutouh shtoi se kjo ofensivë po ndodh në një kohë kur, sipas tij, disa persona po punojnë sistematikisht për të dobësuar institucionet dhe për të vënë në pikëpyetje themelet e rendit republikan.

Në një intervistë për të përjavshmen Journal du dimanche (JDD), të publikuar online të shtunën në mbrëmje, ai tha se ishte viktimë e një “gjuetie shtrigash”.

“Gjithmonë i kam shërbyer një shteti, atij të Francës, të cilin e dua thellësisht. Të më paraqesin si shërbëtor të një partie është e neveritshme, ndërsa të më quajnë informator është e ulët”, u shpreh ai.

Moutouh kishte shërbyer si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme nga prilli 2025 deri në maj 2026. Ai dyshohet se gjatë kësaj periudhe ka informuar Tubimin Kombëtar për hetimet që zhvilloheshin ndaj partisë.

Ndërkohë, deputeti i RN-së, Jean-Philippe Tanguy, i hodhi poshtë akuzat në një intervistë për France Inter, duke i cilësuar ato si “thashetheme pa baza në mes të fushatës zgjedhore”.

Ai pretendoi se disa persona po përpiqen ta bëjnë Moutouh të paguajë për kryerjen e detyrës së tij, duke iu referuar masave të sigurisë gjatë kongresit të RN-së në Orléans, në fund të tetorit, ku ishte organizuar edhe një kundërprotestë nga kundërshtarët e partisë.

Marine Le Pen, kandidate e RN-së në zgjedhjet presidenciale dhe me mbështetje të konsiderueshme në sondazhe, reagoi të dielën për këtë çështje në intervistat për France Inter dhe France 2.

Ajo deklaroi se nuk kishte marrë “asnjëherë informacione konfidenciale” nga prefekti Hugues Moutouh dhe se nuk i kishte kërkuar kurrë ato. Megjithatë, tha se nuk mund të përcaktonte nëse persona të tjerë brenda partisë mund të kishin përfituar nga informacione të tilla, pasi hetimet janë ende në zhvillim.

Prokuroria e Parisit konfirmoi këtë javë se në korrik kishte nisur një hetim gjyqësor për dyshime mbi shkeljen e sekretit profesional, shkeljen e sekretit të hetimeve dhe përfitimin nga veprat e tilla.

Çështja i është besuar Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare (IGPN), i njohur ndryshe si “policia e policisë”.

Në fillim të këtij muaji janë kontrolluar edhe zyrat e Tubimit Kombëtar, ndërsa prokuroria e konfirmoi këtë të enjten. Sipas një burimi të afërt me çështjen, të cituar nga AFP, kontroll është kryer edhe në Ministrinë e Brendshme.

Hetimet për rrjedhjen e dyshuar të informacioneve te RN-ja kanë nisur pas zbulimeve gjatë një kontrolli tjetër, të kryer në kuadër të një procedure të veçantë nga Prokuroria Publike Evropiane.

Sipas AFP-së, e cila konfirmoi informacionet e publikuara nga Le Monde, në banesën e Frédéric Chatillonit në Romë është gjetur një email nga zyra e prefektit Moutouh. Chatillon është bashkëpunëtor i Le Penit dhe për një kohë të gjatë ka qenë përgjegjës për komunikimin zgjedhor të partisë.

Gjatë intervistave të së dielës, Le Pen tha se nuk e dinte se si ky email kishte përfunduar në banesën e Chatillonit.

Në fillim të javës, AFP raportoi gjithashtu, duke cituar një burim pranë çështjes, se hetuesit kishin gjetur një dokument konfidencial të Ministrisë së Brendshme gjatë një kontrolli në kuadër të hetimeve evropiane.

Dokumenti lidhet me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian nga grupi i dikurshëm parlamentar i ekstremit të djathtë, Identiteti dhe Demokracia (ID), ku bënin pjesë edhe eurodeputetë të Tubimit Kombëtar. Ky grup u zëvendësua në korrik të vitit 2024 nga grupi Patriotët për Evropën.

Të premten, Moutouh u thirr në takim nga ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez. Ky i fundit deklaroi për BFMTV se, nëse faktet vërtetohen, ato do të ishin “qartësisht shumë serioze”. Megjithatë, ai theksoi se deri në atë moment askush nuk ishte vendosur zyrtarisht nën hetim në këtë çështje.

Dyshimet për lidhje mes Tubimit Kombëtar dhe një ish-zyrtari të rangut të dytë në Ministrinë e Brendshme vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Francë, vetëm pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat do të zgjidhet pasuesi i Emmanuel Macronit.

Sipas sondazheve të fundit të opinionit, Marine Le Pen do të merrte më shumë se 30 për qind të votave në raundin e parë. /Telegrafi/