Shqiptari Egzon Berisha, drejtues i qendrës bankare në Dallas dhe zëvendëspresident i lartë në American National Bank of Texas, është në fokus të një artikulli të revistës amerikane D CEO, e cila i kushton vëmendje rrënjëve të tij shqiptare dhe mënyrës se si ai e zbaton besën shqiptare në karrierën e tij profesionale.
Në artikullin e publikuar, Berisha rrëfen rrugëtimin e tij nga Prishtina drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar se si vlerat familjare dhe traditat shqiptare kanë ndikuar në formimin e tij.
I lindur në Prishtinë, në vitin 1991, ai u largua me familjen drejt SHBA-së gjatë luftës së Kosovës, ndërsa në vitin 2002, kur ishte 11 vjeç, u vendosën përfundimisht atje, në kërkim të një jete më të qëndrueshme dhe mundësive më të mira.
Berisha kujton sakrificat e prindërve të tij, të cilët u përballën me sfidën e përshtatjes në një kulturë të re, mësimin e gjuhës dhe ndërtimin e jetës nga fillimi.
Ai veçon veçanërisht nënën e tij, të cilën e përshkruan si shtyllën e familjes dhe një shembull të punës së palodhshme.
Një nga porositë që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës është shprehja shqiptare: “Punën e sotit mos e lë për nesër”, të cilën ia përsëriste nëna që kur ishte fëmijë.
Në intervistë, Berisha ndalet edhe te koncepti i besës shqiptare, të cilin e përkufizon si mbajtje të fjalës, ndershmëri, besueshmëri dhe përgjegjësi personale, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, kjo vlerë ka një rëndësi të veçantë edhe në botën e bankave, ku besimi është themeli i çdo marrëdhënieje me klientët, kolegët dhe partnerët.
“Kur e jep fjalën, pritet të bësh gjithçka që është e mundur për ta mbajtur atë”, thekson Berisha, duke shpjeguar se këtë mësim nga kultura dhe edukimi shqiptar vazhdon ta zbatojë në punën dhe marrëdhëniet e tij profesionale.
Rrëfimi i tij në revistën amerikane paraqet një shembull të rrugëtimit të një shqiptari nga Kosova, i cili ka arritur të ndërtojë karrierë në sektorin bankar amerikan, duke ruajtur lidhjen me prejardhjen dhe vlerat e vendit të tij./Telegrafi/