
Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit F.K., i cili dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe sulmoi me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.
Për rastin, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht më 21 nëntor, kur gruaja, e cila ishte larguar nga bashkëshorti për shkak të dhunës së vazhdueshme, kishte kërkuar strehim te familjarët e saj. Por, sipas dyshimeve, burri e kishte ndjekur deri në shtëpinë ku ajo po qëndronte dhe kishte sulmuar me thikë axhën e saj.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ia caktuar të pandehurit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 02:00, në shtëpinë e familjarit të bashkëshortes, në fshatin Lipovec.
E dëmtuara kishte shkuar te familja e saj më 18 nëntor, pas mosmarrëveshjeve me bashkëshortin. Po atë ditë, ajo dyshohet se kishte pranuar një mesazh zanor kërcënues nga ai, në të cilin i kishte thënë: “O ku je, o kom me të myt, po ku je”.
Në ditën kritike, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku po qëndronte gruaja dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte e të hipte në veturë, me pretendimin se dëshironte të bisedonte me të.
Sipas Prokurorisë, kur axha i gruas kishte dalë për të biseduar me të, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë në fytyrë. Kur viktima kishte ngritur dorën për t’u mbrojtur, ai dyshohet se e kishte goditur edhe në dorën e majtë, duke ia prerë gishtin e katërt.
Në raportimin e mëhershëm të Sinjalit ishte bërë e ditur se gjatë përleshjes familjari kishte arritur ta vinte nën kontroll të dyshuarin, ndërsa policia kishte sekuestruar tri thika që i ishin gjetur atij.
Të dy personat kishin pësuar lëndime dhe kishin marrë trajtim mjekësor. Po ashtu, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë kishin vërejtur se i dyshuari kundërmonte erë alkooli.
Gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Masa prej një muaji do të llogaritet nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali