Mbi 12 mijë persona në Zvicër i janë bashkuar nismës kombëtare “Një muaj pa duhan”, e cila synon t’i ndihmojë duhanpirësit dhe konsumuesit e produkteve të nikotinës që të heqin dorë nga kjo varësi.
Fushata, e organizuar edhe këtë vit gjatë muajit nëntor, u bën thirrje pjesëmarrësve që për 30 ditë të mos konsumojnë cigare, cigare elektronike, snus apo produkte të tjera me nikotinë.
Nisma është një sfidë edhe për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ku një pjesë e komunitetit vazhdon të jetë konsumatore e duhanit.
Përmes kësaj fushate, organizatorët synojnë të tregojnë se ndërprerja e duhanit është më e lehtë kur bëhet në grup dhe me mbështetje profesionale.
Pjesëmarrësit përfitojnë këshilla falas nga ekspertët e shëndetësisë, mesazhe të përditshme motivuese, informacione praktike dhe mundësi për të shkëmbyer përvoja me persona të tjerë që po përpiqen ta lënë duhanin.
Mbështetja ofrohet edhe përmes komunitetit online dhe grupeve të komunikimit, ndërsa programi është i disponueshëm në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht.
Sipas organizatorëve, muaji i parë është ndër periudhat më të vështira për personat që vendosin ta ndërpresin duhanin, prandaj sfida është ndërtuar për t’i shoqëruar ata hap pas hapi.
Fushata përfshin edhe përdoruesit e cigareve elektronike dhe snusit, duke synuar ndërprerjen e konsumit të nikotinës në tërësi.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, pjesëmarrja në edicionin e vitit 2026 ka shënuar rekord, me mbi 12 mijë persona të regjistruar, prej të cilëve 6.150 nga pjesa frankofone e Zvicrës.
Pyetja mbetet nëse edhe duhanpirësit shqiptarë do t’i bashkohen kësaj nisme dhe do të arrijnë t’i rezistojnë tundimit për 30 ditë, me synimin që ta lënë duhanin përgjithmonë./Telegrafi/