
Një 23-vjeçare nga Southampton i Anglisë ka arritur të ndërtojë biznesin e saj në industrinë e bukurisë, pasi vendosi të largohej nga shkolla në moshën 16-vjeçare për t’u bërë parukiere.
Kaci Hill, e cila thotë se studimet e mëtejshme nuk përputheshin me planet e saj, nisi një praktikë profesionale në parukeri në vitin 2019. Rruga drejt kualifikimit nuk ishte e lehtë, pasi ajo ndërroi nëntë sallone dhe arriti të marrë diplomën profesionale me rezultate të shkëlqyera në moshën 20-vjeçare, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Me 15 mijë funte të kursyera nga puna e saj, Kaci investoi në renovimin e një hapësire mbi një berberhane, ku në gusht të vitit 2023 hapi sallonin e parë, “LoLo’s Boutique”.
Fillimisht, biznesi kishte fitime të vogla, por falë klientelës së krijuar përmes punës së mëparshme, rekomandimeve dhe rrjeteve sociale, ajo arriti të sigurojë rreth 45 mijë funte fitim në vit.
Më 21 nëntor, 23-vjeçarja hapi edhe sallonin e dytë, “LoLo’s Hair and Beauty”, ku planifikon të punësojë pesë parukiere të reja. Me zgjerimin e biznesit, ajo shpreson që fitimet vjetore të arrijnë në rreth 58 mijë funte.
Kaci thotë se përvoja praktike dhe ndjekja e profesionit që e pëlqen kanë qenë vendimtare në rrugëtimin e saj. Ajo inkurajon edhe të rinjtë që e dinë se çfarë duan të bëjnë në jetë, të konsiderojnë praktikat profesionale si një mundësi për të ndërtuar karrierën e tyre./Klankosova.tv