
Komisioni Evropian ka nisur një hetim zyrtar ndaj kompanisë Coca-Cola Europacific Partners (CCEP), nën dyshimet për abuzim me pozitën dominuese në treg dhe pengim të konkurrencës ndërmjet shteteve të BE-së.
Dyshimet lidhen me praktika përmes të cilave kompania mund të ketë kufizuar blerjen dhe shitjen e produkteve përtej kufijve shtetërorë, duke ua pamundësuar shitësve sigurimin e çmimeve më të favorshme, shkruan Euro News.
Hetimi do të shqyrtojë nëse CCEP ka ofruar zbritje me kusht që produktet të mos eksportoheshin në shtetet e tjera, ka përdorur ambalazhe me madhësi të ndryshme sipas tregjeve dhe ka kufizuar importin e pijeve në Spanjë.
Gjithashtu, po hetohet edhe refuzimi i negociatave për kontrata që përfshijnë disa shtete njëkohësisht.
“Qytetarët nuk duhet të paguajnë më shumë vetëm sepse jetojnë në një shtet të BE-së dhe jo në një tjetër”, deklaroi Teresa Ribera, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian.
Kompania operon në tetë shtete të BE-së, ndërsa hetimi vjen pas kontrolleve të befasishme të zhvilluara në objektet e saj në mars të vitit 2025.
Nga ana tjetër, CCEP ka deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me Komisionin Evropian dhe se është e përkushtuar të respektojë të gjitha rregullat në fuqi.
Komisioni ka theksuar se hetimi nuk paragjykon rezultatin përfundimtar dhe se ende nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e tij, transmeton Klankosova.tv.