
Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke vënë në shënjestër bankat, platformat e kriptovalutave, flotën në hije, rafineritë e naftës, si dhe ushtarët rusë që kanë luftuar në Ukrainë.
Nëse miratohet nga shtetet anëtare, kjo do të jetë paketa e 22-të e sanksioneve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Brukseli synon miratimin e saj në dhjetor.
Masat e propozuara përfshijnë përjashtimin e 60 bankave të tjera ruse nga sistemi SWIFT, kufizimin e platformave të kriptovalutave dhe ndalimin e kompanive evropiane që të riparojnë objektet energjetike ruse, shkruan Euro News.
Në listë parashihet të përfshihen edhe mbi 70 anije të flotës në hije, të cilat Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet dhe kufizimin e çmimit të naftës.
Një tjetër masë parasheh ndalimin e hyrjes në BE për ushtarët rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ata përbëjnë rrezik për sigurinë e Evropës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u ka bërë thirrje aleatëve që të ashpërsojnë sanksionet ndaj komponentëve që Rusia përdor për prodhimin e dronëve me motorë reaktivë.
Propozimi vjen në kohën kur Rusia po vazhdon sulmet ndaj Ukrainës, ndërsa Brukseli kërkon të rrisë presionin ndaj Moskës për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, transmeton Klankosova.tv.