Libia kërkon nga Ukraina sqarime për sulmet ndaj anijeve ruse pranë Bengazit

Libia kërkon nga Ukraina sqarime për sulmet ndaj anijeve ruse pranë Bengazit

Written by

in

Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë ka kërkuar sqarime zyrtare nga Ukraina lidhur me operacionet ushtarake që, sipas saj, janë kryer kundër anijeve ruse pranë qytetit lindor të Bengazit.

Ajo ka bërë thirrje për një hetim mbi atë nëse territori apo objektet libiane janë përdorur për planifikimin ose ekzekutimin e këtyre sulmeve.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme, e bërë të hënën, erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi ishte përgjegjës për sulmet detare të kryera të dielën pranë bregdetit libian – sulme që, sipas tij, fundosën një anije luftarake ruse dhe goditën një anije mallrash.

Ministria shprehu “shqetësim të thellë dhe dënim” lidhur me deklaratat ukrainase dhe hodhi poshtë kategorikisht çdo operacion ushtarak të huaj të kryer brenda territorit ose ujërave territoriale të Libisë.

Ajo theksoi se vazhdimi i luftës Rusi-Ukrainë “nuk i jep asnjë pale të drejtën për t’i zhvendosur operacionet ushtarake në territorin libian, apo për ta përdorur hapësirën sovrane të Libisë si arenë për të larë hesapet”, duke i cilësuar veprime të tilla si në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Zelensky deklaroi se forcat ukrainase përdorën shtatë mjete detare pa ekuipazh, të prodhuara në Ukrainë, për të fundosur anijen luftarake ruse “Merkury” pranë Bengazit dhe për të shkatërruar një helikopter ushtarak “Ka-27”.

Ai gjithashtu tha se ata vunë në shënjestër anijen ruse të mallrave “MV Angara”, për të cilën pretendoi se Moska e përdor për transportimin e armëve.

Ministria libiane i kërkoi Kievit të sqarojë natyrën dhe shtrirjen e operacioneve, si dhe bëri thirrje për një hetim mbi atë nëse territori apo objektet libiane janë përdorur për të planifikuar, kryer ose ofruar mbështetje logjistike për këto sulme.

Ajo paralajmëroi se përdorimi i porteve dhe objekteve libiane si baza për operacione ushtarake të huaja, rrezikon ta tërheqë vendin në konflikte për të cilat ai nuk ka asnjë interes.

Ndërkohë, qeveria me bazë në Libinë lindore i ka paraqitur një ankesë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar urgjent dhe të pavarur mbi sulmet, si dhe mbi pretendimet se objekte në Libinë perëndimore janë përdorur për përgatitjen dhe lëshimin e dronëve.

Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi gjithashtu bëri thirrje për një hetim të pavarur, duke paralajmëruar se këto incidente mund të përshkallëzojnë tensionet e brendshme ose ta përfshijnë vendin në konfrontime më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Ambasadori i Rusisë në Libi deklaroi se Moska po shqyrton opsionet për një përgjigje, duke shtuar se sulmet “nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Libia, e cila mbetet e ndarë mes administratave rivale me seli në Tripoli dhe Bengazi, theksoi se nuk është palë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës dhe se nuk do të pranonte të përfshihej në këtë konflikt. /Telegrafi/