Gjykata në Wisconsin i cakton paraburgimin Hektor Avdylit, u ekstradua nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave bankare në SHBA

Gjykata në Wisconsin i cakton paraburgimin Hektor Avdylit, u ekstradua nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave bankare në SHBA

Written by

in

Gjykata në Wisconsin i cakton paraburgimin Hektor Avdylit, u ekstradua nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave bankare në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë publikuar pamjet dhe detajet e rënda nga aktakuza kundër 21-vjeçarit nga Prizreni, Hektor Avdyli, i cili u ekstradua të enjten drejt tokës amerikane. Nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli po përballet me drejtësinë amerikane në Wisconsin, nën dyshimet për vjedhje masive dhe shitje të të dhënave bankare në rrjetin e fshehtë “Dark Web”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka bërë publike fotografinë e 21-vjeçarit me pranga në duar gjatë momentit të ekstradimit të tij më 19 nëntor 2026, duke njoftuar se shtetasi kosovar tashmë ndodhet prapa grilave në SHBA në pritje të gjykimit.

Si ra në kurthin e agjentëve të fshehtë të FBI-së?

Sipas dokumenteve zyrtare të gjykatës amerikane, Hektor Avdyli vepronte në forume kriminale në “Dark Web” nën pseudonime të ndryshme, ku reklamonte dhe shiste të dhëna të vjedhura të kartave të kreditit dhe informacione personale. Ai vetë kishte pohuar se këto të dhëna i kishte vjedhur fshehurazi nga faqet e internetit të blerjeve (e-commerce) përmes softuerëve keqdashës (malware).

Hetimi mori kthesë vendimtare kur agjentët e FBI-së blenë në mënyrë të fshehtë direkt nga Avdyli mbi 27,000 numra të kartave të kreditit të vjedhura. Paketa e blerë nga hetuesit përmbante të dhëna tejet të ndjeshme: numrat e kartave, kodet e sigurisë (CVV), emrat e viktimave, adresat, numrat e telefonit dhe emailet – përfshirë të dhënat e rreth 300 banorëve të shtetit të Wisconsin-it.

Zbulimi tronditës në hard diskun e 21-vjeçarit

Pas punës intensive hetimore që çoi në identifikimin e shitësit si Hektor Avdyli, autoritetet e Kosovës, me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, e arrestuan atë më 15 korrik 2026 në Prizren, përmes Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Gjatë bastisjes dhe ekzaminimit të pajisjeve të tij elektronike, hetuesit zbuluan përmasat tronditëse të këtij operacioni. Në njërin prej hard disqeve të sekuestruara të Avdylit, u gjetën afërsisht 2.7 milionë numra të kartave të pagesës – duke përfshirë karta krediti, debiti dhe karta dhuratash – së bashku me identitetet e pronarëve të tyre.

Paraqitja para gjykatësit në Milwaukee dhe reagimi i Prokurorisë

Një ditë pas ekstradimit, më 20 nëntor 2026, 21-vjeçari nga Prizreni u soll para gjykatësit të magjistraturës amerikane, William E. Duffin, në Milwaukee të Wisconsin-it, i cili i caktoi masën e paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Asistenti i Parë i Prokurorit të SHBA-së, Schimel, duke e cilësuar kapjen e tij si një sukses të jashtëzakonshëm kundër krimit kibernetik ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht, vjedhja e identitetit dhe informacionit financiar të konsumatorëve amerikanë nga aktorë të huaj ndodh çdo ditë dhe u kushton qytetarëve miliarda dollarë. Sot shënohet një ngjarje e jashtëzakonshme ku kemi kapur një kriminel të dyshuar kibernetik të huaj që zotëronte një sasi të madhe informacioni të kartave të pagesës së konsumatorëve të pafajshëm. Tani e kemi në paraburgim në tokën amerikane për t’u përballur me drejtësinë”, deklaroi Schimel.

Shënim: Bazuar në ligjet e SHBA-së, një aktakuzë është thjesht një pretendim dhe i pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet përtej një dyshimi të arsyeshëm në gjykatë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali