Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ende nuk ka miratuar transferimin e rreth 60 raketave interceptuese të sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat Uashingtoni kishte rënë dakord t’ia furnizonte Ukrainës, raportoi të martën Financial Times, duke iu referuar burimeve të informuara për çështjen.
Ukraina ka përsëritur vazhdimisht se ka nevojë urgjente për më shumë raketa interceptuese, për t’u përballur me sulmet gjithnjë e më të shpeshta ruse me raketa dhe dronë.
Sipas gazetës, raketat përfshijnë variantet amerikane PAC-3 dhe PAC-2. Disa prej tyre ndodhen në arsenalet evropiane dhe financohen nga aleatët perëndimorë të Kievit, transmeton Telegrafi.
Sipas Financial Times, pjesa e mbetur e furnizimit përfshin raketa PAC-3, të cilat ishte planifikuar të dorëzoheshin gjatë periudhës nga shtatori deri në dhjetor. Megjithatë, asnjëra prej këtyre dërgesave nuk është miratuar ende për transferim.
Rreth 20 raketa të tjera PAC-2, një variant më i vjetër i sistemit Patriot, janë gjithashtu të caktuara për Ukrainën, por presin miratimin për dorëzim.
Gazeta raportoi se në Pentagon është vonuar edhe një përpjekje tjetër për të siguruar miratimin amerikan, që Ukraina të prodhojë vetë raketat interceptuese Patriot.
Një zëdhënës i Pentagonit i tha gazetës se nuk ka pasur ndryshim në politikën amerikane për mbështetjen e Ukrainës, por refuzoi të komentojë më tej për armët.
“Departamenti i Luftës ka ndjekur disa iniciativa paralele për të përshpejtuar bashkëpunimin industrial transatlantik në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot me partnerët evropianë dhe Ukrainën, dhe vazhdon këtë punë edhe sot”, deklaroi një zyrtar i Pentagonit për Financial Times.
Muajin e kaluar, SHBA-ja miratoi shitjen e 500 raketave Patriot PAC-3 për Ukrainën, me vlerë rreth 2.1 miliardë dollarë. /Telegrafi/
Megjithatë, dorëzimi i tyre nuk pritet të bëhet deri në fillim të viteve 2030, duke shtuar pasigurinë për kohën kur Ukraina mund të sigurojë furnizimet e reja për mbrojtjen ajrore.