Një ditë më parë gjatë realizimit të një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, një pjesëtar i FSK-së është lënduar.
I njëjti është dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin e Gjakovës, ndërkaq më pas në Klinikën e Ortopedisë në QKUK.
E lidhur me këtë, sot Forca e Sigurisë së Kosovës ka dhënë edhe zyrtarisht njoftim.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton opinionin publik se më 23 nëntor 2026, gjatë realizimit të një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, një pjesëtar i FSK-së, ka pësuar lëndim të lehtë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
FSK thekson se menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile.
“Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve stërvitore dhe operacionale. FSK-ja i uron pjesëtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/