Nga: Nebojsa Todorovic / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar në Abu Dabi, negociatorët rusë u paraqitën të dërguarve amerikanë një dokument që këmbëngulte se NATO-ja duhet të kthehet në pozicionet e saj të vitit 1997, duke i lënë vendet që i janë bashkuar aleancës, që atëherë, si anëtare vetëm në letër.
Historia e njeh mirë këtë: kur një fuqi nuk mund as të përparojë, as të tërhiqet në fushën e betejës, ajo do të përpiqet të negociojë rrugën e saj drejt fitores. Pikërisht këtë po bën presidenti rus Vladimir Putin, sepse në fushën e betejës ai ka ngecur thellë në baltën ukrainase.
Në shikim të parë, kërkesa që NATO-ja të kthehet në pozicionet e saj të vitit 1997 tingëllon si çështje për planifikuesit ushtarakë. Por, pas asaj vije qëndron gjysma e aleancës: 16 nga 32 anëtaret e NATO-s janë bashkuar që nga viti 1997 – nga Polonia dhe vendet baltike te Finlanda dhe Suedia. Njëra prej tyre është Mali i Zi, të cilin e përfaqësova si i ngarkuar me punë në Uashington dhe historinë e të cilit me Rusinë e kam studiuar.
Kam shkruar një libër për atë histori, me nëntitullin Miti i vëllazërisë sllave. Ai tregon se partneritetet e pabarabarta nuk do të japin kurrë rezultate të balancuara, pasi fuqia e madhe gjithmonë do ta shfrytëzojë vendin më të vogël. Rusia ka folur për shekuj me radhë për dashurinë ndaj vëllezërve të saj në Ballkan; në të vërtetë, ajo është kujdesur vetëm për veten. Putini shkoi edhe më tej në korrik 2021, duke shkruar se rusët dhe ukrainasit janë një popull dhe e dëshmoi këtë duke dërguar tanke shtatë muaj më vonë.
Në ditën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, vetëm disa muaj para anëtarësimit në NATO, Mali i Zi përjetoi një përpjekje për grusht shteti. Provat që e lidhnin grushtin e shtetit me GRU-në, shërbimin rus të inteligjencës ushtarake – të cilin burimet e inteligjencës perëndimore e përshkruajnë si “pjesa e fundit e mozaikut” – u raportuan nga Sky News. Ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, Jeremy Hunt, e përshkroi atë si një “përpjekje të pacipë” të GRU-së për të ndërhyrë në zgjedhjet e Malit të Zi dhe për ta penguar anëtarësimin e tij në NATO. Dhjetë vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar. Muajin e kaluar, themeluesi i rrjetit rus të propagandës, “Rybar”, dhe katër bashkëpunëtorë të tij u dëbuan nga Gjiri i Kotorrit nga autoritetet malazeze, pas konfiskimit të dronëve dhe pajisjeve të regjistrimit.
Në vitin 2017, kur Mali i Zi trokiti në derën e NATO-s, Senati i ShBA-së ia hapi atë me 97 vota pro dhe dy kundër. Senatori Lindsey Graham e quajti “një ditë të madhe për Malin e Zi dhe NATO-n, një ditë të keqe për Rusinë”. Ulja e statusit të gjysmës së aleancës, pas dyerve të mbyllura, do ta kthente ditën e keqe të Rusisë në ditën e saj më të mirë.
Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin? Do të ktheheshim në ditët e blloqeve. Zyrtarët rusë thuhet se u thanë amerikanëve në Abu Dabi se Luftën e Ftohtë dhe Paktin e Varshavës i shohin si model për Evropën e pasluftës. “Vija e vitit 1997” do të përcaktonte kufirin e një sfere të re ruse të ndikimit. Brenda një sfere ndikimi nuk mund të ketë aleancë të të barabartëve, vetëm hierarki. Ballkani e di mirë këtë. Në vitin 1948, Stalini kërkoi bindje absolute nga Jugosllavia përmes Rezolutës së Informbyrosë. Kur tha jo udhëheqësi i saj, Josip Broz Tito, Jugosllavia përjetoi bllokadë, kërcënime dhe vite frike. Putini po e përdor të njëjtën logjikë sot. Kushdo që nuk pajtohet me Moskën nuk është sovran, por renegat i “vëllazërisë”. Nëse Perëndimi ia jep atij fuqinë për të vendosur se kush mund të jetë anëtar i NATO-s, shtetet e vogla të Ballkanit nuk do të gëzojnë paqe. Do ta pësojnë të njëjtin fat si në vitin 1948, por këtë herë pa një Tito që të thotë jo.
Kjo mund të shmanget thjesht duke thënë jo në tryezën e negociatave. George Kennan, diplomati amerikan në Moskë që u bë ati i politikës së frenimit, shkroi në vitin 1947 se prirjet ekspansioniste të Rusisë kërkojnë “frenim të durueshëm, por këmbëngulës dhe vigjilent”. Ai e shkroi këtë dy vjet pas Konferencës së Jaltës – ku udhëheqësit aleatë negociuan formën e Evropës së pasluftës – kur tashmë ishte e qartë se sa kishte kushtuar ajo konferencë: tetë ditë bisedime dhe pothuajse gjysmë shekulli pa liri për Evropën Lindore. Paqja në Ukrainë është synim për të cilin ia vlen përpjekja. Por, paqja që lejon një agresor të vendosë fatin e të tjerëve nuk është rend. Është problem i shtyrë.
“Jo”-ja e Jugosllavisë në vitin 1948 ishte e guximshme, por qëndroi e vetme. Vendet që iu bashkuan NATO-s pas vitit 1997 e bënë këtë për t’u siguruar që kurrë më të mos duhej të zgjidhnin mes dorëzimit dhe izolimit. /Telegrafi/