
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga operacioni i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, ku janë sekuestruar 117.9 gramë marihuanë dhe është arrestuar një person.
Sveçla ka bërë të ditur se substanca narkotike ishte e ndarë në paketime të vogla dhe dyshohej se ishte e destinuar për shitje në rrugë, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.
“Vazhdon pa kompromis lufta e përbashkët institucionale kundër narkotikëve dhe shpërndarjes së tyre në rrugë. Në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, janë sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në paketime të vogla dhe e gatshme për shitje në tregun rrugor dhe para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se luftimi i narkotikëve është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për parandalimin e shpërndarjes së tyre.