
Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur fillimin e zbatimit gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K).
Këtë sistem, OEK-u e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës financiare dhe lehtësimit të transaksioneve për bizneset dhe qytetarët.
Në një komunikatë për media, Oda ka bërë të ditur se përmes këtij sistemi do të mundësohen transfere të menjëhershme financiare, në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Sipas Odës, funksionalizimi i TIPS-K pritet të ndikojë pozitivisht në aktivitetin e bizneseve, veçanërisht në përmirësimin e likuiditetit dhe përshpejtimin e qarkullimit të mjeteve financiare.
“Mundësia e kryerjes së pagesave në kohë reale është veçanërisht e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, furnitorëve dhe partnerëve afaristë, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë në transaksionet tregtare”, thuhet në komunikatë.
Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se digjitalizimi dhe modernizimi i shërbimeve financiare janë të rëndësishme për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
Në këtë drejtim, Oda ka vlerësuar angazhimin e Bankës Qendrore të Kosovës, bankave komerciale dhe institucioneve partnere që kanë kontribuar në funksionalizimin e këtij sistemi.
Po ashtu, ka bërë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që përfitimet nga sistemi i ri të jenë të qasshme për të gjitha bizneset dhe qytetarët e Kosovës.