​Kreu i Parlamentit të Serbisë i ndal mikrofonin Vuçiqit, ky i fundit braktis i irrituar sallën

​Kreu i Parlamentit të Serbisë i ndal mikrofonin Vuçiqit, ky i fundit braktis i irrituar sallën

Written by

in

​Kreu i Parlamentit të Serbisë i ndal mikrofonin Vuçiqit, ky i fundit braktis i irrituar sallën

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, i ka ndërprerë sot mikrofonin ish-presidentit të Serbisë dhe kryetarit aktual të grupit parlamentar opozitar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit tejkaloi kohën prej dy minutash të parashikuar për replikë.

Vuçiq kishte kërkuar fjalën për t’iu përgjigjur nënkryetares së parlamentit, Sara Valentik, nga Lista Studentore. Gjatë fjalimit, Çupiq i tregoi Vuçiqit orën dhe më pas i fiku mikrofonin, veprim të cilin Vuçiq e priti me duartrokitje ironike.

Kryeparlamentari Çupiq sqaroi se pas skadimit të kohës së caktuar, deputetëve u lejohet vetëm të përfundojnë fjalinë e nisur dhe më pas u ndalet mikrofoni, duke theksuar se ky rregull vlen njësoj për të gjithë. Nga ana tjetër, Vuçiq reagoi i irrituar duke bërtitur se nuk e kishte përfunduar kurrë fjalinë, ndërsa Çupiq iu përgjigj se po fliste pa i dhënë fjalën. Pas këtij shkëmbimi, Vuçiq u ngrit dhe doli nga salla e kuvendit.

Debati kishte nisur pasi nënkryetarja Valentik kërkoi falje për një deklaratë të javës së kaluar lidhur me deputetët e SNS-së. Ajo sqaroi se nuk dëshiron t’i mohojë askujt të drejtën e shprehjes së mendimit, por shtoi se e konsideron të padrejtë që në parlament të ulen persona që, sipas vlerësimit të saj, i kanë shkaktuar dëme të mëdha Serbisë gjatë 14 viteve të fundit.

Vuçiq e cilësoi kërkimfaljen e saj si një “hile të ndyrë” dhe pretendoi se ajo meritonte përjashtimin nga seanca.

Në vazhdim të punimeve, Vuçiq u rikthye në sallë dhe u përfshi sërish në debat, ku kryeparlamentari Çupiq ia ndali mikrofonin edhe disa herë të tjera për shkak të tejkalimit të kohës. Vërejtje mori edhe ish-kryetarja e parlamentit, Ana Bërnabiq, pasi foli pa lejen e kryesuesit të seancës.

Aleksandar Çupiq u zgjodh kryetar i Parlamentit të Serbisë javën e kaluar, pas një debati të ashpër disaditor, ku që atëherë pati një përplasje verbale me Vuçiqin dhe i shqiptoi një vërejtje, transmeton KosovaPress.

Gjatë seancës së sotme, deputetët po zgjedhin anëtarët e komisioneve parlamentare dhe të delegacioneve të përhershme në institucionet ndërkombëtare, proces në të cilin Vuçiq njoftoi në fillim të seancës se partia e tij (SNS) nuk do të marrë pjesë.

Burimi: Insajderi