Rripi i Gazës po përballet me një katastrofë të rëndë mjedisore, pasi më shumë se 99 për qind e territorit të tij është prekur nga ndotja si pasojë e luftës, paralajmëron organizata humanitare Oxfam.
Sipas një raporti të përgatitur nga Oxfam në bashkëpunim me organizatën britanike Conflict and Environment Observatory, shkatërrimet e shkaktuara nga ofensiva ushtarake izraelite kanë lënë pas sasi të mëdha të materialeve të rrezikshme, të cilat mund të përbëjnë kërcënim serioz për shëndetin e popullsisë edhe për shumë vite pas përfundimit të luftës.
Në mesin e ndotësve të identifikuar janë metalet e rënda, mbetjet e eksplozivëve, asbesti nga ndërtesat e shkatërruara, dioksinat dhe ndotësit biologjikë. Raporti është mbështetur në imazhe satelitore, të dhëna publike dhe teknologji të vëzhgimit në distancë.
Oxfam paralajmëron se kjo ndotje mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin e banorëve, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes, kancerit, dëmtimeve të organeve dhe komplikimeve gjatë shtatzënisë.
Situata është rënduar edhe më shumë nga shkatërrimi i infrastrukturës së ujërave të zeza. Të gjashtë impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Gaza janë jashtë funksionit, duke bërë që ujërat e patrajtuara të depërtojnë në tokë, në ujërat nëntokësore dhe në Detin Mesdhe.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, operacionet ushtarake kanë gjeneruar më shumë se 61 milionë tonë mbeturina dhe rrënoja, rreth 15 për qind e të cilave mund të përmbajnë materiale të rrezikshme.
Pasojat tashmë po vërehen edhe në shëndetin e popullsisë. Mjekët në Gaza kanë raportuar rritje të infeksioneve të frymëmarrjes, sëmundjeve të lëkurës dhe problemeve gastrointestinale, të lidhura me pluhurin, ujin e ndotur dhe kushtet e rënda sanitare në kampet ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur.
Përveç rrezikut shëndetësor, ndotja po kërcënon edhe sigurinë ushqimore. Fermerët dhe peshkatarët kanë raportuar vështirësi në prodhimin e ushqimit të sigurt për konsum, për shkak të ndotjes së tokës dhe ujërave.
Oxfam ka kërkuar një vlerësim të pavarur të gjendjes mjedisore në Gaza dhe një plan të posaçëm për pastrimin e territorit, duke paralajmëruar se procesi do të jetë i gjatë dhe i ndërlikuar.
Ndërkohë, Izraeli ka kundërshtuar përfundimet e raportit, duke vënë në pikëpyetje metodologjinë e përdorur dhe duke pretenduar se analiza mbështetet në imazhe satelitore dhe supozime të paverifikuara.
Organizata paralajmëron se edhe nëse luftimet përfundojnë, pasojat e ndotjes mund ta shoqërojnë popullsinë e Gazës për dekada. /Telegrafi/