Mërgim Vojvoda ka refuzuar ofertat nga Lindja e Mesme për të vazhduar karrierën në futbollin italian, ku synon të qëndrojë sa më gjatë në një prej pesë kampionateve më të forta të Evropës.
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës është njëri prej futbollistëve të paktë shqiptarë që luan në këtë nivel. Që nga viti 2020, ai ka regjistruar 180 paraqitje në Serie A, duke u aktivizuar kryesisht te Torino, ku luajti 135 ndeshje. Për Comon ka regjistruar 45 paraqitje, ndërsa me skuadrën aktuale, Udinese, deri më tani ka luajtur 14 ndeshje.
Në një intervistë për emisionin “Udinese Tonight” të televizionit “TV 12”, Vojvoda ka treguar se gjatë verës kishte marrë oferta nga Lindja e Mesme, por preferoi të vazhdonte aventurën në Itali.
“Më pëlqen të luaj në Itali, niveli është shumë i lartë. Në verë më kontaktuan nga Lindja e Mesme, por doja të qëndroja në një ligë të nivelit të lartë dhe ja ku jam”.
Ai ka treguar se edhe nga bashkëlojtarët në Kombëtaren e Kosovës ka marrë vlerësime për vështirësinë e futbollit italian, duke e veçuar sidomos aspektin taktik.
“Në Kombëtare flas me bashkëlojtarët që kanë luajtur në Itali, Francë dhe Spanjë, dhe ata thonë se liga italiane është më e vështirë, veçanërisht nga aspekti taktik dhe përqendrimi që kërkon. Nuk mund të bësh gabime”.
Vojvoda ka folur edhe për përshtatjen e tij në Itali, duke theksuar se integrimi në kulturën dhe shoqërinë vendase ishte një prej prioriteteve të tij që nga dita e parë.
“Sapo mbërrita në Itali, u përpoqa të integrohesha dhe pas disa muajsh jepja intervista në italisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Së pari duhet të integrohesh, pastaj të tjerët do të të hapin krahët. Të tjerët presin që të jetë e kundërta, por duhet të jesh i pari që mëson gjuhën, kulturën dhe ushqimin”.
Vojvoda beson te mbijetesa e Udineses
Mbrojtësi 31-vjeçar iu bashkua Torinos në shtator të vitit 2020, nga Standard Liege, ku qëndroi deri në shkurt të vitit 2025, kur u transferua te Como. Në korrik të këtij viti, ai ndërroi sërish ambient, duke iu bashkuar Udineses.
Skuadra e tij aktuale nuk po kalon një periudhë të mirë, pasi gjendet në vendin e parafundit në Serie A me vetëm gjashtë pikë. Megjithatë, Vojvoda është optimist se gjërat do të ndryshojnë dhe se skuadra do të arrijë të largohet nga zona e rënies.
Ai ka thënë se është ndier mirë që nga momenti i parë te Udinese, duke vlerësuar mikpritjen e klubit dhe të tifozëve, ndonëse ka pranuar se përgatitja fizike ishte ndryshe nga ajo me të cilën ishte mësuar.
“Kur mbërrita, menjëherë ndjeva ngrohtësinë e klubit dhe të tifozëve. U ndjeva mirë. Përgatitja fizike që bëmë ishte ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar dhe nuk isha në formën time më të mirë fizike. Sa më shumë ndeshje kalonin, aq më shumë e ndieja këtë. Jam shumë i lumtur që jam këtu”.
“Edhe në një situatë si kjo, kur arrin të dalësh nga një situatë e vështirë, është edhe më e mrekullueshme. Dua të jap 100 për qind deri në fund”.
Vojvoda ka kujtuar edhe periudhën e kaluar te Como, ku punoi nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas, të cilin e ka vlerësuar lart.
Nën drejtimin e spanjollit, futbollisti i Kosovës u aktivizua në disa pozita, përfshirë mbrojtësin e djathtë, atë të majtë dhe sulmuesin e krahut.
“Nën drejtimin e Fabregasit luaja si mbrojtës i djathtë, mbrojtës i majtë dhe sulmues anësor. Në fillim të sezonit të kaluar te Como, të gjithë sulmuesit e krahut ishin të lënduar dhe ai më aktivizoi në atë pozitë. Luajta shumë mirë dhe e kalova gjithë sezonin në atë rol”.
“Kur mbërrita në Como, ishim në zonën e kuqe, por trajneri ishte i bindur se mund t’ia dilnim dhe përfunduam në vendin e dhjetë. Këtu, sikurse atje, e dimë cilësinë që kemi. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë fizikisht dhe mendërisht të gatshëm dhe të japin gjithçka. Nëse ndodh kjo, jam i bindur se mund t’ia dalim”.
Ai ka shtuar se Udineses nuk i ka munguar potenciali, por lëndimet e futbollistëve kanë ndikuar në ecurinë e skuadrës.
“Deri më tani gjithmonë na ka munguar dikush dhe nuk ka qenë e lehtë as për trajnerin. Nëse të gjithë janë të shëndetshëm, mund të bëjmë po aq mirë sa vitin e kaluar”.
Vojvoda është gjithashtu futbollisti me më së shumti paraqitje në histori të Kombëtares së Kosovës. Që nga debutimi në vitin 2017, ai ka regjistruar 81 ndeshje me fanellën dardane./Telegrafi/