Gjermania do të bëhet vendi i parë që fiton qasje në sistemin digjital ukrainas të menaxhimit të operacioneve luftarake DELTA, një teknologji e zhvilluar dhe e testuar në kushtet e luftës kundër Rusisë.
Marrëveshja u arrit në Berlin, ku ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe homologu i tij ukrainas, Yevhenii Khmara, nënshkruan një deklaratë të qëllimit për bashkëpunim në zhvillimin dhe përdorimin e kësaj platforme.
Në bazë të marrëveshjes, ushtria gjermane do të mund ta përshtatë DELTA-n sipas nevojave të saj, të kontribuojë në zhvillimin e funksioneve të reja dhe të bashkëpunojë me Ukrainën për përmirësimin e sistemit.
Megjithatë, Berlini nuk do të ketë qasje në të dhënat luftarake dhe operacionale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, raportojnë mediat.
Sistemi DELTA është një platformë dixhitale që bashkon informacione nga burime të ndryshme, përfshirë radarët, sensorët, dronët dhe satelitët, duke krijuar një pamje të përbashkët të situatës në fushëbetejë në kohë reale.
Përmes tij, komandantët mund të përcjellin pozicionet e forcave ukrainase dhe atyre armike, të identifikojnë objektivat dhe të koordinojnë operacionet ushtarake. Platforma është zhvilluar duke u bazuar në përvojën e drejtpërdrejtë të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.
Ministri gjerman Pistorius ka theksuar rëndësinë e bashkimit të informacioneve nga burime të ndryshme në një pamje të vetme të fushëbetejës, ndërsa pala ukrainase e konsideron marrëveshjen një hap të rëndësishëm për zgjerimin ndërkombëtar të teknologjive të saj të mbrojtjes.
Sistemi ishte testuar edhe nga ushtria gjermane në tetor, me mbështetjen e ekspertëve ukrainas.
Marrëveshja shënon një zhvillim të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, pasi Ukraina, përveçse përfiton nga ndihma ushtarake perëndimore, tashmë po eksporton edhe përvojën dhe teknologjinë e zhvilluar gjatë luftës. /Telegrafi/