
Fitorja e Galatasaray-t ndaj Aston Villa-s në Ligën e Kampionëve është shoqëruar edhe me një zhvillim jashtë fushës, pasi presidenti i klubit turk, Dursun Ozbek, ka bërë të ditur se qeveria e Benjamin Netanyahu-t e ka denoncuar skuadrën pranë UEFA-s për shkak të mesazheve të tifozëve në mbështetje të Palestinës.
Ozbek ka reaguar ashpër ndaj kësaj nisme, duke theksuar se solidariteti me popullin palestinez nuk është qëndrim politik, por një akt human dhe shprehje e ndërgjegjes.
Tifozët e Galatasaray-t kanë shfaqur vazhdimisht pankarta në mbështetje të Palestinës në stadiumin “Rams Park”. Mesazhe të tilla u panë edhe gjatë ndeshjes kundër Aston Villa-s, ku ndër të tjera shkruhej: “Të mos harrojmë kurrë Gazën, të mos heshtim përballë gjenocidit”, “Ti je dinjiteti, nderi dhe krenaria e njerëzimit, o Gaza” dhe “Palestina e Lirë”.
Presidenti i klubit turk deklaroi se Galatasaray do të vazhdojë të qëndrojë në krah të popullit palestinez, ndërsa shprehu shpresën që UEFA të mos i japë rëndësi asaj që e cilësoi si ankesë me motive politike.
Ndërkohë, qeveria izraelite nuk ka pranuar të komentojë publikisht rastin. Deri më tani, gjithashtu nuk është bërë e ditur nëse UEFA ka ndërmarrë ndonjë procedurë disiplinore ndaj klubit turk.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali