Zbardhet agjenda e Konferencës për Investime BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrëse edhe Marta Kos

Zbardhet agjenda e Konferencës për Investime BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrëse edhe Marta Kos

Written by

in

Zbardhet agjenda e Konferencës për Investime BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrëse edhe Marta Kos

Tirana do të jetë sot dhe nesër qendra e diskutimeve për investimet, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, duke mirëpritur edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas TCH, aktiviteti i nivelit të lartë pritet të mbledhë mbi 600 pjesëmarrës, mes tyre investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, si dhe figura të njohura të politikës dhe ekonomisë.

Sipas agjendës së publikuar, gjatë dy ditëve të konferencës do të diskutohen mundësitë e investimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, financimi i startup-eve, inovacioni dhe inteligjenca artificiale. Në fokus do të jenë gjithashtu sektori i energjisë, infrastruktura digjitale dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

Në mesin e emrave të njohur që do të marrin pjesë në këtë forum janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta. Ky i fundit do t’i bashkohet aktivitetit përmes një lidhjeje online.

Pjesë e konferencës do të jetë edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ndërsa në aktivitet pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve, transmeton Klankosova.tv

Dita e parë-25 nëntor

Punimet do të nisin në orën 08:15 me regjistrimin e pjesëmarrësve, ndërsa ceremonia e hapjes do të zhvillohet nga ora 09:15 deri në 09:40.

Fjalët përshëndetëse do të mbahen nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe Kerstin Jorna, drejtoreshë e përgjithshme e DG GROW në Komisionin Europian.

Në orën 09:45 do të mbahet fjala kryesore e Lars-Hendrik Roller, themelues dhe kryetar i Berlin Global Dialogue.

Një prej sesioneve të para do t’u kushtohet gjashtë startup-eve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të prezantojnë projektet dhe idetë e tyre përpara investitorëve. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet teknologjive të avancuara, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Gjatë ditës së parë do të zhvillohen gjithashtu panele mbi financimin e bizneseve, mundësitë e investimit në rajon dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet kompanive europiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Dita e dytë- 26 nëntor

Dita e dytë do të nisë në orën 10:30 me hapjen zyrtare të punimeve. Fjalën përshëndetëse do ta mbajnë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Europian.

Në orën 11:00 janë parashikuar prezantime të njoftimeve për investime, ndërsa më pas do të vijojnë sesionet tematike.

Një prej diskutimeve kryesore do të jetë ai mbi kapitalin njerëzor, aftësitë profesionale dhe produktivitetin, me fokus te mënyrat se si investimet në arsim, formim profesional dhe zhvillimin e aftësive mund të nxisin rritjen ekonomike të rajonit.

Në këtë sesion do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive dhe organizatave ndërkombëtare, ndër ta Arturas Piliponis nga EY, Gianluca Ciminata, drejtues i Lutech Balkans, Petar Ninovski, themelues i Brainster Group, si dhe Frieder Wöhrmann nga Regional Challenge Fund.

Në përfundim të konferencës pritet të mbahen fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane”, konferenca synon të promovojë potencialin ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit dhe të krijojë mundësi konkrete për tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar. Gjatë dy ditëve do të zhvillohen shtatë sesione tematike, ku do të trajtohen çështje që lidhen me financimin e bizneseve, teknologjinë, energjinë, infrastrukturën dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun europian.