
Një shqiptar i dënuar për vrasje, i cili arriti t’i shpëtonte drejtësisë për 27 vite duke jetuar në Britaninë e Madhe me identitet të rremë, mund të qëndrojë në këtë shtet edhe pas përfundimit të dënimit që po vuan aktualisht.
Shqipëria ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij, me argumentin se ka kaluar shumë kohë nga kryerja e krimit. Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Sabri Sopoti, i cili në dhjetor të vitit 1999 qëlloi për vdekje një person me një automatik të tipit Scorpion në një lokal në veri të Shqipërisë.
Pas ngjarjes, e cila dyshohet se kishte si motiv një konflikt familjar, ai u largua nga vendi dhe shkoi në Mbretërinë e Bashkuar.
Atje, Sopoti u paraqit si refugjat nga Kosova, duke përdorur identitetin e rremë Zenel Bytyqi, me të cilin arriti të përfitonte azil dhe të jetonte i pazbuluar për 27 vite. Në Shqipëri, ai u gjykua në mungesë dhe u dënua me 24 vite burgim, për vrasje me paramendim dhe një vepër penale që lidhej me armëmbajtjen.
Identiteti i tij i vërtetë u zbulua në Britani vetëm pasi u përfshi në një tjetër çështje penale, që kishte të bënte me kontrabandën e alkoolit dhe shmangien e pagesës së taksave. Sopoti u arrestua në korrik të këtij viti dhe pritej të përballej muajin e ardhshëm me një seancë të plotë gjyqësore për ekstradimin drejt Shqipërisë. Megjithatë, gjatë një seance të premten në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, autoritetet britanike u njoftuan se Shqipëria kishte tërhequr urdhër-arrestin ndërkombëtar, në bazë të nenit 122 të Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003.
Sipas kërkesës së autoriteteve shqiptare, një gjyqtar në Shqipëri kishte vendosur së fundmi se kishte kaluar një periudhë tepër e gjatë nga kryerja e veprës penale dhe se nuk ishte më e mundur që Sopoti të vuante dënimin fillestar. Për pasojë, gjykata në Westminster u detyrua të urdhëronte pushimin automatik të procedurës së ekstradimit. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Britani bëri të ditur se nuk kishte asnjë tregues që Shqipëria do ta apelonte këtë vendim.
Burimi: Insajderi