Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese njoftoi sot se është miratuar një legjislacion gjithëpërfshirës për sigurinë në internet, i cili mund të vendosë miliarda dollarë gjoba për gjigantët e teknologjisë nëse dështojnë në mbrojtjen e përdoruesve nga përmbajtja e dëmshme në internet.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, ai e përshkroi legjislacionin si “ligje për të mbrojtur fëmijët dhe për t’ju dhënë më shumë zgjedhje në internet”.
Senatorja e Pavarur për Australinë Perëndimore, Fatima Payman tha se ndonëse votoi në favor të projektligjit, i cili synon t’u japë përdoruesve kontroll më të madh mbi algoritmet e tyre dhe t’i mbajë kompanitë e teknologjisë përgjegjëse për përmbajtjen që shfaqin, disa nga dispozitat e tij janë “jashtëzakonisht” të paqarta.
Payman paralajmëroi se kompanitë që shmangin rrezikun mund të heqin postimet e ligjshme, duke shtuar se legjislacioni vjen me kosto të konsiderueshme për privatësinë, pasi kërkesat më të gjera për verifikimin e moshës dhe kompetencat e zgjeruara për Komisionerin e Sigurisë Elektronike (eSafety Commissioner) mund të rrisin sasinë e informacionit personal që australianëve u kërkohet të japin.
Sipas Aktit të Detyrës Dixhitale të Kujdesit, kompanitë, përfshirë Google, TikTok dhe Meta mund të përballen me penalitete ekuivalente me 5 për qind të të ardhurave të tyre globale për shkelje të ligjeve të detyrës dixhitale të kujdesit.
Gjobat përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme nga propozimi fillestar i qeverisë për një gjobë maksimale prej 109.2 milionë dollarësh australianë (72.3 milionë dollarë) për shkelje.
Ambasadori i SHBA-së në Australi, David Brat kritikoi legjislacionin në një postim në X të martën, duke thënë se “dëmet e përcaktuara në mënyrë të paqartë, të mbështetura nga gjoba deri në 5 për qind të të ardhurave globale, do t’i shtyjnë platformat të censurojnë fjalën e ligjshme”.
“Investitori më i madh i huaj i Australisë, SHBA-ja, është e shqetësuar me rregulloret që imponojnë barrë joproporcionale të pajtueshmërisë mbi kompanitë amerikane në krahasim me konkurrentët”, tha ai.
Projektligji do t’u kërkojë kompanive të teknologjisë të marrin masa parandaluese kundër ngacmimit kibernetik, mizogjinisë dhe përmbajtjes që promovon çrregullime të të ngrënit tek fëmijët.
Platformat dixhitale do të kërkohen gjithashtu të mbrojnë përdoruesit e rritur nga kërcënimet e dhunës, ndjekja dhe shpërndarja jokonsensuale e imazheve intime.
Australianët e moshës 16 vjeç e lart do të jenë në gjendje të çaktivizojnë burimet e drejtuara nga algoritmi dhe të shikojnë përmbajtje ekskluzivisht nga llogaritë që ndjekin.
Ky legjislacion pason ndalimin historik të Australisë për qasjen e fëmijëve nën moshën 16 vjeç në rrjetet sociale, duke zgjeruar mbikëqyrjen rregullatore të vendit mbi kompanitë globale të teknologjisë. /AA/