Samiti në Bruksel, Kurti i bën thirrje Serbisë ta arrestojë Radoiçiqin

Samiti në Bruksel, Kurti i bën thirrje Serbisë ta arrestojë Radoiçiqin

Written by

in

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus është perspektiva evropiane e rajonit, reformat e nevojshme për anëtarësim dhe çështjet e hapura mes vendeve.

Në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane që aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian të trajtohet si çështje urgjente.

Kosova është i vetmi vend në procesin e zgjerimit të BE-së që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit. Aplikimi i saj, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, nuk është shqyrtuar deri më tani, kryesisht për shkak të qëndrimit të pesë shteteve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Para takimit, Kurti ka theksuar se Kosova nuk po kërkon privilegje apo favore, por vlerësimin e përparimit të arritur në fusha të ndryshme.

“Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm që të njihet përparimi i Kosovës në zhvillimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri kosovar ka shfrytëzuar rastin edhe për t’i bërë thirrje pushtetit të ri në Serbi që ta arrestojë Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas Kurtit, gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, Radoiçiqi kishte lëvizur lirshëm në Serbi dhe kishte pasur lidhje të afërta me ish-presidentin serb.

“Shpresojmë që kjo të ndryshojë tani. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë shoqërinë nga kriminelët”, ka thënë Kurti.

Serbia mungon për herë të dytë radhazi në samit

Një prej zhvillimeve që ka shoqëruar samitin është edhe mungesa e përfaqësuesit të Serbisë. Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Kjo është hera e dytë radhazi që Serbia nuk përfaqësohet në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Në dhjetor të vitit të kaluar, samitin e kishte bojkotuar presidenti i atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, pasi vendet anëtare të BE-së nuk kishin hapur klasterin e tretë në negociatat e anëtarësimit të Serbisë.

Diplomatët evropianë vlerësojnë se Serbia, për shkak të mungesës së përfaqësimit, me shumë gjasë nuk do të pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit.

BE-ja kërkon reforma dhe përkushtim ndaj vlerave evropiane

Në draft-deklaratën përfundimtare të samitit, liderët e BE-së pritet të riafirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zgjerimi cilësohet si një mundësi reale dhe investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.

Megjithatë, vendeve të rajonit u kërkohet të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe çështjeve themelore.

Në dokument theksohet se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në reformat e besueshme, kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë, si dhe në parimin e meritave individuale.

Draft-deklarata përmban edhe një qëndrim të qartë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit historik.

“Madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane”, thuhet në dokument.

BE-ja u bën thirrje vendeve të rajonit që të respektojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës, si dhe të kontribuojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet kusht për përparim evropian

Një pjesë e rëndësishme e draft-deklaratës i kushtohet edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në dokument vlerësohet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon t’i pengojë të dyja vendet në rrugën drejt integrimit evropian.

Brukseli u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shfrytëzojnë momentin aktual politik dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me synimin për të arritur përparim konkret në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023, pak ditë para sulmit në Banjskë.

Në të njëjtën kohë, BE-ja rikujton se mbështetja financiare përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar nga angazhimi konstruktiv dhe rezultatet konkrete në procesin e normalizimit.

Një tjetër çështje e theksuar është përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Sipas zyrtarëve evropianë, Serbia mbetet i vetmi vend i rajonit që nuk është plotësisht i përafruar me këtë politikë, me një shkallë përafrimi prej rreth 59 për qind.

Mali i Zi rrezikon të pengohet nga mosmarrëveshjet me Kroacinë

Në samit është diskutuar edhe perspektiva e Malit të Zi, vendi që aktualisht konsiderohet më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti malazez, Jakov Millatoviq, ka shprehur gatishmërinë e Podgoricës për t’i zgjidhur me mirëbesim çështjet e hapura me Kroacinë, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që ato të dërgohen në arbitrazh ndërkombëtar ose para një gjykate ndërkombëtare.

Mosmarrëveshjet mes dy vendeve lidhen edhe me çështjen e kufirit, ndërsa Kroacia aktualisht po bllokon mbylljen e përkohshme të tre kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi.

Zagrebi ka paraqitur tetë kushte që Mali i Zi duhet t’i përmbushë para anëtarësimit, ndërsa Podgorica deri më tani ka plotësuar dy prej tyre.

Millatoviq ka paralajmëruar se kushtëzimi i procesit të zgjerimit me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe do të përbënte humbje strategjike për Bashkimin Evropian.

Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së gjatë vitit 2028.

Ndërkohë, në draft-deklaratën e samitit përfshihet edhe qëndrimi i BE-së për luftën në Ukrainë, ku riafirmohet mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, përballë agresionit rus.

Samiti në Bruksel mbahet rreth gjashtë muaj pas takimit të mëparshëm në Tivat të Malit të Zi dhe synon të riafirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur procesi i zgjerimit vazhdon të përballet me sfida politike dhe mosmarrëveshje rajonale.

– YouTube www.youtube.com